Modelja e parë me mbulesë, Halima Aden

  • G.G /
  • 17 December 2021 - 13:59
Modelja e parë me mbulesë, Halima Aden

Si supermodelja e parë me mbulesë në industrinë e modës, ylli somalezo-amerikan, Halima Aden, nuk është e panjohur për thyerjen e kufijve.

Por pas ecjes në pista për Yeezy dhe Alberta Ferretti – për të mos përmendur pozimin për British Vogue, Sports Illustrated Swimsuit Issue dhe më shumë – Aden tronditi fansat e modës në nëntor 2020 duke u larguar nga moda, duke përmendur konflikte me besimet e saj fetare.

“Ata mund të më telefonojnë nesër dhe as për 10 milionë dollarë nuk do të rrezikoja kurrë të komprometoja mbulesën time”, shkroi modelja myslimane, 24 vjeçe, në Instagram në atë kohë.

Tani, një vit më vonë, Aden është duke menduar për rikthimin e saj në modë – dhe këtë herë, ajo shpreson të krijojë ndryshim, në vend që të ndryshojë veten. “Doja të kthehesha për të bërë punën që më pëlqen me markat që ndajnë vlerat e mia thelbësore”, tha ajo për Page Six Style duke vendosur t’i jap fund pauzës së saj. “Ishte e rëndësishme për mua që u ktheva sipas kushteve të mia dhe jam shumë mirënjohëse që pata mundësinë t’i bëj gjërat sipas mënyrës sime”.

Për punën e saj të parë në qendër të vëmendjes, ajo po bashkohet me Vita Coco si zëdhënëse për iniciativën e ndikimit social të markës. Projekti Vita Coco, mbështet komunitetet e kultivimit të arrës së kokosit në Filipine dhe Sri Lanka.

Ajo u emërua gjithashtu kohët e fundit ambasadorja e parë e markës globale në Modanisa, një shitës modest i modës. “Jam bërë shumë internacionale me kë jam partnere dhe çfarë kauza po mbështes”, tha Aden. Dhe ndërsa jo të gjitha përvojat e saj të modelimit kanë qenë pozitive, ylli i modës e njeh ndikimin që fama e saj mund të ketë te të tjerët që ndajnë besimin e saj.

“Si një vajzë e vogël duke u rritur, kurrë nuk pashë dikë që më ngjante në revista apo në televizion”, tha Aden, e cila lindi në një kamp refugjatësh në Kenia dhe u transferua në Minesota me familjen e saj në moshën 6-vjeçare.

“Në fakt, kur pashë përfaqësimin e grave myslimane, zakonisht ishte në lajme në lidhje me shtypjen, gjë që nuk ishte përvoja ime e veshjes së mbulesës”, shtoi ajo. “Si e rritur, jam shumë krenare që kam qenë gruaja e parë dukshëm myslimane në kaq shumë hapësira, sepse si fëmijë, kurrë nuk kam menduar se kjo do të ishte e mundur”.

Por Aden beson se ka ende “punë për t’u bërë në drejtim të diversitetit dhe përfshirjes”, duke thënë, “duhet një përpjekje e komunitetit për të nxitur ndryshime reale dhe afatgjatë”.

“Mos ndryshoni veten, ndryshoni lojën”, tha ajo. “Mos u ndjeni sikur duhet të përshtateni për t’u përzier. Përkundrazi, ji krenare për atë që je dhe nga vjen. Të gjithë kanë lindur për t’u dalluar dhe ne të gjithë duhet të përqafojmë dallimet e njëri-tjetrit. Bota do t’ju takojë aty ku jeni”.

(Kosova Sot Online)