Liqeni i Badocit – trashëgimi arkeologjike
Shkruan: Haxhi Mehmetaj, arekolog
Kur po ndërtohej penda e liqenit të Badocit për ujë të pijes, në vitet gjashtëdhjeta të shek. XX u gjeten gjurmët e një vendbanimi të periudhës parahistorike të mijëvjeçarit të shtatë para lindjes së Krishtit (rreth 9000 vjet i vjetër).
Vendbanimi përfaqësohet nga tri sëpata guri dhe nga gjurmë të blozës së shtresimeve arkeologjike. Sëpatat janë fenomen për studimin e periudhave më të lashta të historisë së njerëzimit pasi që janë shumë të rralla.Sëpatat e gjetura i takojnë sëpatave të tipit të Lepenski Virit (vend zbulim në grykën e Gjerdapit), dhe dëshmojnë për përfaqësimin e epokës së proteneolitit, neolitit pa qeramikë, përkatësisht një faze ndërmjetësues në mes të mezolitit dhe të neolitit të hershëm.
Edhe në shtratin e liqenit tëBadocit sikurse në rrethinën e liqenit gjatë gërmimeve arkeologjike dhe vëzhgimeve të terrenit, janë gjetur dëshmi të periudhës së bronzit, periudhës së antikitetit dhe të mesjetës. Kërkimet arkeologjike kanë dëshmuar që liqeni i Badocit më rrethinë është trashëgimi arkeologjike e cila duhet të hulumtohet dhe të mbrohet.
(Kosova Sot Online)