Tolaj: Lamtumirë profesor Fahri Beqiri - revolucionari i jetës muzikore shqiptare

  • A.P /
  • 18 May 2021 - 14:09
Tolaj: Lamtumirë profesor Fahri Beqiri - revolucionari i jetës muzikore shqiptare

Në moshën 85 vjeçare, është ndarë nga jeta kompozitori i madh shqiptar nga Mitrovica, Fahri Beqiri, autori i veprave të mëdha muzikore, profesori që edukoi breza të tërë studentësh në Fakultetin e Muzikës në Prishtinë, mjeshtri i madh e i papërsëritshëm, shkruan gazeta "Kosova Sot Online".

Përmes një postimi në faqen zyrtare, Drejtori i Ansmablit Nacional Shqiptar në RMV, Shkodran Tolaj, ndër të tjera ka shkruar "Zemra yte sot pushoi së rrahuri por jo dora yte sepse ajo ndjehet në notat dhe veprat që u le trashëgim djemve dhe muzikantëve të shkëlqyeshëm Valtonit dhe Valbonit, mijëra studentëve, Ansambleve tona kombëtare, dhjetëra shoqërive kulturore e artistike dhe repertorit të instrumentistëve, kompozitorëve e këngëtarëve!
Pusho i qetë revolucionar i jetës artistike kosovare dhe ikonë e kulturës shqiptare!"

Postimi i plotë:

Lamtumirë profesor Fahri Beqiri - revolucionari i jetës muzikore shqiptare 


I dashur profesor! Ju bëtë që të dëgjohet zëri i shqiptarëve përmes kompozimeve në tërë ish- Jugosllavinë! Ju bëtë që të dëgjohej zëri i gruas shqiptare përmes festivalit “Kosovarja këndon” ku performuan mijëra vajza të talentuara që sot janë personalitete në botën artistike e akademike! Ju bëtë që ansambli “Shota” të ketë shkëlqimin e tij vite me radhë! Ju ishit pjesë e çdo aktiviteti kulturor kombëtar duke dhënë kontribut si idealist në çdo cep të tokave ku flitet shqip në vitet më të rënda të okupimit të Kosovës! Ju ishit kontribues i jetës muzikore në realitetin e ri të shtetit më të ri- Kosovës pas vitit 1999. Patëm fatin që në koncertin e fundit të mbajtur me 17 shkurt në Filharmoninë e Maqedonisë të ndjehet dora dhe mjeshtëria juaj në disa nga orkestracionet e këngëve që interpretoi Ansambli Nacional shqiptar në RMV!


Zemra yte sot pushoi së rrahuri por jo dora yte sespe ajo ndjehet në notat dhe veprat që u le trashëgim djemve dhe muzikantëve të shkëlqyeshëm Valtonit dhe Valbonit, mijëra studentëve, Ansambleve tona kombëtare, dhjetëra shoqërive kulturore e artistike dhe repertorit të instrumentistëve, kompozitorëve e këngëtarëve!
Pusho i qetë revolucionar i jetës artistike kosovare dhe ikonë e kulturës shqiptare!


Në emër të Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV kam privilegj që me nderimet më të mëdha të shprehë ngushëllime për familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe tërë komunitetin artistik!
Do na mungojë prezenca fizike por ju do jetoni përjetësisht në kujtimet tona!


Me përkulje nderimi
Drejtori i Ansamblit
Shkodran Tolaj

(Kosova Sot Online)