Margarita Kadriu: Ndonjëherë jeta na jep një goditje të fortë, por ndonjëherë na jep edhe një shans të dytë
Autorja e njohur Margarita Kadriu ka promovuar librin e saj më të ri me titull “Shans i Dytë – kthimi i faqes pas goditjes në tru”. Përmes një mesazhi emocionues të ndarë në llogarinë e saj në rrjetet sociale, Kadriu ka zbuluar detaje nga ky rrugëtim jetësor, i cili vjen si një dëshmi e forcës dhe mbijetesës pas një sfide shëndetësore, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në postimin e saj, autorja tregoi se libri është një pasqyrim i historisë së saj personale.
“Ishte një rrugëtim i gjatë, i mbushur me sfida, dhimbje, frikë, por edhe me forcë, besim dhe shpresë. Në momentet më të vështira mësova se njeriu mund të ringrihet edhe kur gjithçka duket e pamundur,” ka shkruar Kadriu, duke kujtuar periudhën e vështirë dhe procesin e rikuperimit.
Kadriu ka shprehur dëshirën që ky libër të shërbejë si një burim inspirimi dhe drite për të gjithë ata që kalojnë nëpër rrugëtime të ngjashme.
“Shpresoj që ky libër dhe ky rrëfim t’u japin kurajë atyre që po përballen me sfida shëndetësore, si dhe familjeve që qëndrojnë pranë tyre në betejat më të vështira të jetës. Ndonjëherë jeta na jep një goditje të fortë, por ndonjëherë na jep edhe një shans të dytë. Varet nga ne si e shfrytëzojmë atë,” përfundoi ajo mesazhin e saj motivues.
Kadriu ka qenë e ftuar në një intervistë në ATV, ku ka rrëfyer më në detaje historinë e saj.
Libri “Shans i Dytë” vjen si një thirrje për shpresë dhe një udhërrëfyes se si vullneti i njeriut dhe mbështetja familjare mund të triumfojnë mbi sfidat më të rënda të jetës.
(Kosova Sot Online)
