Pas gjysmë shekulli gjenerata e parë e vajzave të Shkollës Normale të vitit 1967 rijetojnë rininë në Radavc

  • 05 June 2026 - 09:43
Pas gjysmë shekulli gjenerata e parë e vajzave të Shkollës Normale të vitit 1967 rijetojnë rininë në Radavc

Koha mund të kalojë, flokët mund të zbardhen dhe rrugët e jetës mund të të dërgojnë në cepa të ndryshëm të botës, por miqësia e vërtetë e bankave të shkollës mbetet e pavdekshme, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Këtë e dëshmon më së miri gjenerata e parë e vajzave të Shkollës Normale të vitit 1967 nga Peja, të cilat tashmë kanë krijuar një traditë të shenjtë: Bashkimin e tyre një herë në vit për të rikujtuar epokën më të bukur të jetës – rininë.

Rrugëtimi i këtyre takimeve nostalgjike nisi zyrtarisht në vitin 2001, kur ato organizuan takimin e parë të madh për të shënuar 32-vjetorin e maturës. Atëkohë, të rrethuara nga profesorët dhe të gjithë shokët e shoqet e klasës, ato ndezën një shkëndijë që nuk do të shuhej më kurrë.

Sabërnaze Hyseni: Shpirti dhe nismëtarja e bashkimit

Pas këtij rrugëtimi të gjatë dhe mbajtjes gjallë të këtij zjarri miqësie, qëndron një emër i dashur për të gjitha: Sabërnaze Hyseni. E shpërngulur në Prishtinë që nga viti 1970, Sabërnazja sot gëzon një jetë të plotësuar, e rrethuar nga bashkëshorti, katër fëmijët e saj të mrekullueshëm, si dhe gjashtë nipërit e mbesat (4 nipa dhe 2 mbesa). Megjithatë, një pjesë e zemrës së saj ka mbetur gjithmonë te shoqet e shkollës së mesme. Pasioni dhe dëshira e saj e madhe për të mos lejuar që koha t'i zbehte kujtimet, e bënë atë nismëtaren dhe organizatoren e përhershme të këtyre takimeve vjetore.

"Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të takohesh me shoqet e shkollës së mesme, sepse me to ke kaluar rininë, kohën kur ëndrrat sapo thureshin," shprehen ato, duke vlerësuar lart kontributin e Sabërnazes.

Pavarësisht se një pjesë e mirë e shoqeve të klasës sot jetojnë në gurbet, larg vendlindjes, malli për njëra-tjetrën i bashkon çdo vit. Ndër shoqet e ngushta të bankës që nuk mungojnë në këto momente janë Magbule Salihu dhe Naxhije Mumxhiu, të pasuara nga pjesa tjetër e grupit të pandashëm: Zekije Pehlivani, Behixhe Agusholli, Nazife Kajolli, Shasine Belegu dhe Shyqerija.

Image

Takimi i këtij viti, i mbajtur më 3 qershor 2026, ka qenë një nga më emocionuesit. Nën organizimin e kujdesshëm të Sabërnazes, e cila u kujdes vetë për çdo detaj, shoqet e dikurshme të klasës kanë udhëtuar së bashku drejt pikës turistike të Radavcit. Të rehatuara në një makinë komode, të cilën me shaka e quajtën "makina e VIP-ave", ato kanë shijuar çdo kilometër të rrugës, duke kënduar, qeshur dhe kthyer kohën pas.

Në mjedisin piktoresk të Radavcit, mes fëshfërimës së natyrës dhe ujit, këto zonja fisnike kanë treguar histori nga bankat e shkollës, kanë ndarë sfidat e jetës dhe kanë dëshmuar se shpirti i tyre mbetet po aq i ri sa në vitin 1967. Për to, kjo ditë nuk ishte thjesht një shëtitje, por një kremtim i një miqësie të pastër që i ka rezistuar kohës, distancës dhe dallgëve të jetës. Ata u ndanë me premtimin e përhershëm: se viti tjetër do t'i gjejë sërish bashkë, më të forta dhe po aq plot jetë.

Falënderim nga zemra

Të dashura shoqe të mia,

Me rastin e takimit tonë të paharruar pas 58 vitesh, dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra secilën prej jush. Ishte një gëzim i veçantë të ribashkoheshim ne, shoqet e gjeneratës së parë të Shkollës Normale të Pejës, të vitit 1967.

Pesë vite të shkollimit i kaluam së bashku, duke ndarë ëndrra, sfida, gëzime dhe kujtime që kanë mbetur të gjalla në zemrat tona edhe pas kaq shumë vitesh. Takimi ynë në Pejë dhe Radavc më mbushi shpirtin me lumturi dhe krenari për miqësinë e sinqertë që ka qëndruar e fortë ndër dekada.

Falënderoj me shumë dashuri shoqet e mia: Magbule, Naxhije, Zekije, Behigje, Nazife, Shyqerije dhe Shahsine. Prania juaj e bëri këtë ditë të veçantë dhe të paharrueshme.

Falënderoj gjithashtu të gjithë miqtë, lexuesit dhe komentuesit që na nderuan me fjalët e tyre të bukura në portalin dhe gazetën “Kosova Sot”.

Uroj që të takohemi edhe shumë herë të tjera me shëndet, buzëqeshje dhe dashuri për njëra-tjetrën.

Me respekt e mirënjohje,

Sabernaze Hyseni 🌹🌹🌹

(Kosova Sot Online)