Çmimet “Nobel” edhe këtë vit ndahen virtualisht, fituesit bëhen të ditur nga 4-11 tetor

  • G.G /
  • 24 shtator 2021 - 08:11
Çmimet “Nobel” edhe këtë vit ndahen virtualisht, fituesit bëhen të ditur nga 4-11 tetor

As këtë vit nuk do të ketë festime për ndarjen e çmimeve “Nobel”, ndërkohë që laureatët do t’i pranojnë medaljet dhe diplomat nga shtetet e tyre, ka bërë të ditur të enjten Fondacioni Nobel.

Festimet tradicionale nuk janë mbajtur as vitin e kaluar për shkak të pandemisë me COVID-19.

“Mendoj se secili do të dëshironte që pandemia me COVID-19 të përfundonte, mirëpo ende nuk jemi te fundi”, ka thënë Fondacioni Nobel përmes një deklarate.

Sipas Fondacionit, ndarja e çmimeve do të transmetohet në televizion dhe përmes platformës digjitale të çmimeve “Nobel”.

Ndërkohë, Komiteti norvegjez i Nobelit është duke e lënë të hapur mundësinë e ndarjes së shpërblimit “Nobel për Paqe”, përmes një ngjarjeje personale.

Vitin e kaluar çmimin “Nobel për Paqe” e ka fituar Programi Botëror i Ushqimit, në një ceremoni virtuale.

Këtë vit, çmimet “Nobel” do të shpërndahen për mjekësi, fizikë, kimi, letërsi, paqe dhe ekonomi.

Çmimet do të bëhen të ditura nga 4 deri më 11 tetor.

(Kosova Sot Online)