Xhaferi falenderon Besiana Mehmedin për organizimin e takimit me gratë me më ndikim në kulturën shqiptare!

  • A.P /
  • 11 March 2024 - 14:16
Xhaferi falenderon Besiana Mehmedin për organizimin e takimit me gratë me më ndikim në kulturën shqiptare!

Me rastin e manifestimit “Gratë në kulturë”, kryeministri i vendit Talat Xhaferi me 8 mars takoi gratë me ndikim në kulturën shqiptare të cilat ishin prezente në Shkup, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në një video dhe fotografitë që shihen duke ndarë lule për secilën nga pedagoget dhe artistet ai shkruan në faqen e tij në facebook:


“ Në këtë ditë të veçantë për të gjitha gratë në jetët tona, në rrethin tonë dhe në shoqëri, kisha kënaqësinë të takoj 11 gra të shquara të arsimit dhe kulturës shqiptare që janë pjesëmarrëse në Manifestimin kulturor “Gratë në kulturë” në përkujdesje të Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ishte nga ato takime që më bëjnë krenar gjithmonë kur kam para vetes forcën mahnitëse që e ka një grua që është shtylla e shtëpisë, e shoqërisë dhe e shtetit.


Dhe këtë ditë të posaçme e permbyllëm me bisedën frymëzuese me këto zonja të dalluara të kombit shqiptar që është krenari ti ketë në anën e vetë secili që ka vizion për një shoqëri të barabartë në çdo këndvështrim Faleminderit Besiana Qani Mehmedi për organizimin e takimit”


Kujtojmë që ky takim është i pari në historinë e ndonjë kryeministri që takoi gra të fuqishme të kulturës e arsimit në një 8 mars. Të pranishme në takim ishin: soprano Edith Mihali- mjeshtre e madhe dhe artiste e merituar, dirigjente Suzana Turku- Mjeshtre e Madhe dhe Artiste e Merituar, Prof.Dr.Zana Shuteriqi- muzikologe, Prof.Rudina Ciko- pianiste, Dr.Flora Brovina- poete, soprano Adelina Paloja, pianistja Laura Kushta, flautistja Albana Mustafa, pianistja Albq Muçolli, të gjitha këto pjesë të Universiteteve të Tiranës, Prishtinës, Universitetit Europian të TIranës, Universitetit të Pejës, shkollës së muzikës së Tiranës e Shkupit! Organizatore e këtij takimi dhe manifestimit “Gratë në kulturë” është mezosoprano, prof.Ord.Besiana Mehmedi!

(Kosova Sot Online)