
Jusuf Buxhovi: Dr. Ibrahim Rugova është kryetar historik i shtetit të Kosovës, i zgjedhur me votën e lirë dhe i konfirmuar edhe ndërkombëtarisht

Intervistë me shkrimtarin dhe historianin e njohur Jusuf Buxhovi
Shkrimtari dhe historiani i njohur Jusuf Buxhovi, në një intervistë për gazetën "Kosova Sot", ka shpalosur mendimet mbi ndikimet që formuan krijimtarinë e tij, si dhe analizat mbi periudhat historike kyçe të Kosovës, përfshirë vitet e 80-90, periudhën e luftës dhe ngjarjet e pasluftës. Po ashtu, ai ofron një pasqyrë të rëndësishme për veprat e tij historike dhe për rolin e Dr. Ibrahim Rugovës në historinë e Kosovës, duke theksuar filozofinë politike të tij dhe ndikimin që ka pasur kjo filozofi në zhvillimet e Kosovës, si dhe arsyet e mospajtimeve brenda shoqërisë shqiptare.

"Kosova Sot": I nderuari Buxhovi, ju keni një rrugëtim të pasur në fushën e letërsisë dhe historisë. Cilat janë ndikimet kryesore që e kanë formuar krijimtarinë tuaj si shkrimtar dhe historian?
Jusuf Buxhovi: Krijimtaria, përmes imagjinatës, mundëson “jetën paralele”, një liri të pakufishme në një hapësirë ku realiteti zëvendësohet me të irealen. Bota ireale është magjike...
Nëse mund të thuhet se imagjinata përmes letërsisë ma ka krijuar hapësirën e lirisë, historiografia, me faktet dhe ngjarjet si realitete, shfaqet si antipodi i saj, ma ka përjashtuar imagjinatën. “Lufta” midis letërsisë dhe historiografisë ka ndikuar në krijimin e një dhome, ku “tirania” e faktit, përmes krijimtarisë, ka kaluar në kujtesën historike, ndërsa përmes letërsisë, ngjarjet e caktuara kanë fituar kredibilitet historik, që vetëm arti mund ta përjetësojë, siç ndodh me luftën e Trojës nga vepra e Homerit dhe të tjera të ngjashme...

"Kosova Sot": Me rastin e 35 vjetorit të themelimit të LDK-së dhe 35 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, së fundi keni botuar librin "Vitet e Gjermanisë". Duke qenë i involvuar në rrjedhat e kohës çfarë ndikimi kishte "dosja gjermane" mbi imazhin dhe besueshmërinë e Dr. Ibrahim Rugovës në qarqet politike shqiptare dhe ndërkombëtare gjatë periudhës së luftës për çlirimin e Kosovës?
Jusuf Buxhovi: “Vitet e Gjermanisë” shfaq tablonë e një memorie intelektuale, kulturore, po edhe politike të një korrespodenti të përhershëm të gazetës Rilindja të akredituar në Gjermani nga mesi i viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar deri te ato të fundviteve të dekadës së parë të këtij shekulli. Karriera ime publicistike 35-vjeçare në një vend që ka kontribuar në njohjen tonë historike, kulturore dhe politike nga fundi i shekullit XIV me dëshmitë e kalorësit Von Haff rreth gjuhës shqipe për të vazhduar me ato të filozofit Laibnic, Ksylanderit, Hanit e deri te Gustaf Majeri që themelojnë shkencën e albanologjisë ka paraqitur një mundësi të madhe për t’u parë dhe hulumtuar nga brenda ky zhvillim i rëndësishëm. Krahas këtij dimensioni, ka qenë edhe ai politik i Gjermanisë së bashkuar nga Kongresi i Berlinit, që nga pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912 e deri te koha jonë, shënon involvimin aktiv të këtij shteti në zhvillimet shoqërore dhe politike të botës shqiptare në përgjithësi, fillimisht me emërimin e gjeneralit Vilhelm von Vid në krye të shtetit të njohur shqiptar në vitin 1914, për të vazhduar mandej edhe me dy ndërhyrje gjermane në kapitujt “e ribashkimeve” shqiptare nga viti 1916-1918 si dhe në krijimin e Qeverisë Shqiptare në krye me R. Mitrovicën nga nëntori i vitit 1943 deri në nëntor 1944. “Inserteve” gjermane në politikën shqiptare, nga rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989, do t’u shtohen ato të veprimit të drejtpërdrejt politik të shtetit të bashkuar gjerman në rrethanat e tranzicionit në Shqipëri si dhe të ndihmës së drejtpërdrejt pluralizmit shqiptar në Kosovë (me themelimin e LDK-së), e mbi të gjitha të pranimit të refugjatëve shqiptarë nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta dhe veçmas gjatë represionit policor dhe ushtarak të regjimit të Millosheviqit në Kosovë nga viti 1989 deri në qershor të vitit 1999, kur vendoset protektorati ndërkombëtar në Kosovë. Gjatë kësaj kohe, politika gjermane ka përkrahur lëvizjen shtetformuese në Kosovë nga ndihmat humanitare, ato materiale, e mbi të gjitha me strehimin e Qeverisë së Bukoshit në Gjermani, të sigurimit të bazës materiale për “shtetin paralel” e deri te fondet për rezistencën e armatosur. Gjermania, po ashtu, ka qenë ndër vendet e NATO-s që ka marrë pjesë dhe në fushatën ajrore kundër forcave policore dhe ushtarake në Kosovë nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, siç ka qenë tejet aktive në procesin e konsolidimit të administratës së UNMIK-ut dhe të KFOR-it me trupat gjermane në të.
Theksimi i “Dosjes gjermane” ka një rëndësi, meqë nxjerr në pah një pjesë të rëndësishme të atij zhvillimi tejet dinamik me të cilin u përball Dr. Rugova si president historik gjatë fushatës ajrore, kur pengu nga Millosheviqi u përcoll edhe me “një tërmet” të brendshëm kundër Rugovës, nga disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, që morën nismën për rrëzimin e tij nga posti i kryetarit të LDK-së dhe nga posti i presidentit me arsyetimet “e tradhtisë”! Kështu që, Vitet e Gjermanisë ka për qëllim të nxjerrë në pah dimensionin e brendshëm të këtij zhvillimi, që përmes memorizimit të momenteve të veçanta, ndër të cilat ka qenë edhe qëndrimi disaditësh i presidentit historik Dr. Rugova në Gjermani, pas lirimit nga pengu i Millosheviqit në maj të vitit 1999, demitizon një pamje idilike të hierarkisë rugoviane nën trysninë e rrethanave të caktuara, që është edhe e natyrshme kundruall skenarëve të shumtë nga jashtë e nga brenda në rolin e një figure shahu...
Shteti gjerman, që ishte shumë i pranishëm asokohe në hapësirën shqiptare me diplomatë, vëzhgues dhe ushtarakë, siç do shtet tjetër nga sofra e fuqive të mëdha, kishte përgatitur një dosje rreth këtyre zhvillimeve, me të cilën Dr. Rugova do të njoftohej gjatë qëndrimit në Bon. Kjo dosje, natyrisht, do të përhapet edhe në qarqet e gazetarëve të akredituar në Bon për t’u dematuar skenari i Millosheviqit me Rugovën-peng, por njëherësh për t’u pasqyruar edhe efektet e tij diletante në skenën e brendshme shqiptare. Natyrisht, se kjo dosje do t’u shërbejë bisedave që kisha me të, të cilat janë kryesisht të natyrës intelektuale, një dialog midis krijuesve për problemet politike përmes metaforave letrare. Këtë diskurs e zgjodhi vetë Rugova, gjë që jo rastësisht, Xhojsi kthehet në një referencë emblematike, që dëshmon se fati i intelektualit – krijues, deshtë a padeshtë, është i lidhur edhe me dimensionin politik në rrethanat e caktuara kur ata ngarkohen me përgjegjësi politike, siç ngjau me Rilindasit, siç ngjau edhe me brezin e gjithmbarshëm intelektual të viteve të tetëdhjeta, të cilit i takoi edhe Dr. Rugova. Siç shihet nga libri, ngarkesat politike, me logjikën e abrakadabrës, intelektualët i kthejnë në peng të pashmangshëm, kur nga heroi kthehen në tradhtar dhe e kundërta. Këtë e përjetoi edhe Dr. Rugova. Ndaj, nuk është e rastit që ai ndjehet si gjenerali Bolivar i Markezit në romanin e famshëm “Gjenerali në kurthin e vet”...

"Kosova Sot": Në romanin tuaj "Kodi i Dashurisë" keni trajtuar ngjarjet e viteve të 80-90, periudha shumë e rëndësishme për historinë e Kosovës. Si e shihni ndikimin e këtij periudhe në letërsinë dhe kulturën shqiptare?
Jusuf Buxhovi: Ngjarjet e viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta janë pjesë e kthesave të mëdha historike, atyre që përcaktuan binarët e shtetndërtimit të Kosovës përmes rezistencës institucionale aktive paqësore e deri te ajo e armatosur, që solli ndërhyrjen ndërkombëtare të NATO-s dhe protektoratin ndërkombëtar. Është fare e natyrshme, madje e pashmangshme për letërsinë që ky zhvillim historik të përfshihet në krijimtari. Romani im "Kodi i dashurisë" merret me dimensionin shoqëror, kulturor dhe politik të këtij zhvillimi në përputhje me analogjitë historike nga antikiteti, mesjeta dhe koha më e re, pra e shtetformimit. Te romani im pasqyrohet lidhja historike, kulturore dhe politike shqiptaro-gjermane në një kontekst të thellë kohor, që përkon me fatin shpesh të njëjtë të të dy popujve të ndarë pas Luftës së Dytë Botërore...

"Kosova Sot": Ju keni botuar veprat historike të rëndësishme si "Kosova" dhe "Kongresi i Berlinit 1878". Çfarë e bëri veprën tuaj kaq të veçantë dhe si u prit ajo nga komuniteti shkencor dhe lexuesit?
Jusuf Buxhovi: Veprat "Kongresi i Berlinit 1878" si dhe "Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878-1881" paraqesin kontributin tim të parë në fushën e historiografisë, që lidhet drejtpërdrejt me qëndrimin tim si korrespodent i "Rilindjes" në Bon, me ç’rast m’u mundësua futja në arkivat gjermane, prej nga nxora dokumentet origjinale të Kongresit të Berlinit në frëngjisht dhe gjermanisht të përkthyera në shqip. Rëndësia e këtyre dokumenteve është tejet e madhe, ngase demistifikuan falsifikimet që iu bënë nga historiografia serbe dhe ajo ruse për qëllime hegjemoniste. Dokumentet e Kongresit, studiuesit shqiptarë mund t’i shfrytëzonin nga arkivat e Beogradit dhe Moskës të censuruara, që kishin për qëllim të krijonin përshtypjen e gabuar të përjashtimit dhe armiqësimit të shqiptarëve me Europën. Për fat të keq, historiografia jonë institucionale në Tiranë dhe Prishtinë, edhe sot e gjithë ditën citon falsifikimet e Haxhivasilevit, Goipçeviqit dhe të tjerëve rreth Kongresit të Berlinit dhe jo dokumentet origjinale nga librat e mia. Ndodh kështu, ngaqë shumë nga studimet e tyre zhvlerësohen. Për shumë nga historianët tanë, parimi i rishqyrtimit dhe rishkrimit të historiografisë sipas dokumenteve origjinale, nuk vlen karshi interesave personale!
“Kosova” në tetë vëllime, si dhe ekstraktet e saj “Dardania” dhe “Maqedonia”, që u shkruan nga viti 2012-2019, paraqesin projektin e parë individual të historiografisë te ne të kësaj natyre. “Kosova” në tetë vëllime, siç theksohet në parathënie, paraqet historinë e Shqipërisë së natyrshme nga antikiteti e deri te koha jonë të mbështetur mbi mbretërinë e Dardanisë, si njërën ndër shtyllat kryesore të saj, që bashkë me “Maqedoninë” dhe “Epirin” paraqesin trinomin historik të mbretërive tona në antikitet, hapësira etnike e të cilave ka ardhur deri te koha e jonë me atë përbërje që e kishte në antikitet. Ajo që e dallon punën time në këtë vepër është ikja nga koncepti ideologjik, dominues te ne gjatë kohës së monizmit ideologjik në Shqipëri dhe Jugosllavi, si dhe ikja nga diktati hegjemonist i historiografisë serbe me dy gënjeshtra historike: atë të gjoja shtetit mesjetar serb të lidhur me dinastinë Nemanjane të Rashë, si dhe të ashtuquajturën autoqefali të Kishës Ortodokse serbe në mesjetë, gjë që as e para, pra shteti mesjetar serb i lidhur me Rashën, dhe autoqefalia kishtare në mesjetë nuk qëndrojnë. Ato janë pjellë e falsifikimeve të dokumenteve nga ato kishtare, kryesisht të manastirit të Hilandari, dhe atyre politike në përputhje me politikën pansllaviste të Moskës nga fillimi i shekullit XVIII për krijimin e shteteve vasale ortodokse në hapësirën europiane të perandorisë Osmane në shpërbërje, që do t’i shërbejnë platformave politike të krijimit të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë mbi bazat e ortodoksisë, paçka se një pjesë e madhe e etnisë shqiptare i takonte Kishës Ortodokse si dhe krishterimit nga zyrtarizimi në shekullin IV nga Konstantini i Madh, me prejardhje dardane.
Në veprën time, sillen shumë argumente të këtyre falsifikimeve, sidomos ato që lidhen me të ashtuquajturin shtet mesjetar serb, të lidhur me dinastinë Nemanjane të Rashës, që si referencë kryesore kanë librin e S. Novakoviqit “Zakonik Cara Dushana 1355”, të botuar së pari në vitin 1899 dhe të ribotuar, me plotësime, në vitin 1908. Vetë Novakoviqi në parathënie thekson se studimi i tij nuk paraqet Zakonikun (Kodin) nga shekulli XIV, por një të sajuar nga rrëfime të priftërinjve dhe mësuesve serbë në Prizren nga shekulli XIX! Po ashtu, thotë se “Zakoniku” është arnuar me 16 versione të shënuara nëpër manastire të ndryshme! Kjo vepër, e përkthyer në shumë gjuhë botërore, pa shqyrtim kritik, është pranuar si “bazë e shtetit mesjetar serb”! Përkthimi i veprës sime në anglisht në vitin 2014 dhe futja e saj si literaturë paralele për historinë e Europës Juglindore në universitetet amerikane, si dhe promovimet në Harvard dhe disa universitete amerikane dhe të tjera, nxorën në pah këtë falsifikim, gjë që humbi kredibilitetin shkencor në universitetet amerikane dhe gjetiu ku konsultohet vepra ime. Por, për fat të keq, jo edhe te shumë historianë tanë, që e citojnë dhe ditë e natë pranojnë “shtetin mesjetar serb në Kosovë”, të ndërlidhur me Rashën, kur në asnjë dokument meritor të asaj kohe, përfshirë këtu edhe ato të perandorëve Kantakuzen dhe të kronistëve bizantinë, zhupania e Rashës nuk lidhet me “shtetin mesjetar serb”, pos që përmendet si zhupani tribale, ndërsa Nemanjajt me origjinë tribale (një fis, që nga shumë autorë antik shihet si dardan, ilir e diku edhe trakas). Ngjashëm ngjet edhe me të ashtuquajturën autoqefali të Kishës Ortodokse nga Mesjeta, që, sipas kronikës së Demantianit, peshkop i Peshkopatës së Ohrit nga viti 1275, nuk ishte tjetër pos një autonomi e përkohshme nga Peshkopata e Ohrit, e instaluar me ndihmën e Vatikanit, në vitin 1217, gjatë kohës së kryqëzatës së katërt, kur Perandoria e Bizantit në Kostandinopojë nga vitin 1204-1265 do të zëvendësohet nga ajo Katolike e Romës. Autoqfalinë, Kisha Ortodokse serbe do ta sigurojë në vitin 1923, pasi që të jetë krijuar monarkia Serbe-kroate-sllovene. Madje, si një kishë e bashkuar nga mitropolia e Beogradit, e Karllovcit, e Malit të Zi dhe e Kosovës. Ky bashkim është shitur si autoqefali dhe vazhdon me këtë avaz, pos për historianët tanë, me pasoja të rënda politike për shtetin e Kosovës, të legjitimuara me Pakon e Ahtisarit!

"Kosova Sot": Me rastin e 20 vjetorit të shkuarjes në amshim, nga këndi i juaj si e përshkruani rolin e Dr. Ibrahim Rugovës në historinë e Kosovës?
Jusuf Buxhovi: Me pak fjalë: Rugova është kryetar historik i shtetit të Kosovës, i zgjedhur me votën e lirë në vitin 1992, 1998 dhe i konfirmuar edhe ndërkombëtarisht në zgjedhjet e vitit 2001 dhe 2004. Meqë Kosova është shtet, paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull, Rugova shfaqet rilindasi i fundit.

"Kosova Sot": Cilat janë arsyet përse disa persona nuk pajtohen me filozofinë politike të Rugovës dhe si lidhen thyerjet për dhe kundër tij me dallimet ideologjike në shoqërinë shqiptare?
Jusuf Buxhovi: Arsyet e këtyre mospajtimeve janë politike, meqë Rugova dhe lëvizja shtetformuese që ai e drejtoi, kishte konceptin e përkatësisë perëndimore dhe qytetërimit europian, si dhe kthimit në vorbullën e tij. Ndërsa, kundërshtarët e tij jo të paktë, kishin koncepte ideologjike të lidhura me të majtën dhe socializmin. Kishte edhe një amalgam tjetër të kundërshtarëve të tij nga e majta dhe militantët folklorikë, me parullat e bashkimit ideologjik me metoda revolucionare, e lidhur me enverizmin, që do të marrë fund me shfaqjen e parullës për Kosovën republikë në vitin 1968, të dinamizuar në demonstratat e vitit 1981. Ndryshimi i diskursit politik nga ai i irredentizmit ideologjik nga grupet ilegale midis viteve të pesëdhjeta dhe të gjashtëdhjeta, te ai i republikës së Kosovës, pra si të barabartë në federatën jugosllave, ndryshon edhe mendësinë politike në Kosovë, e cila do të orientohet kah ngritja e vetëdijes institucionale (universitetit në gjuhën shqipe, Akademisë së Shkencave, veprimtarisë botuese, teatrit, filmit e të tjerave), që do të përqafohet edhe nga lëvizja e rezistencës institucionale aktive paqësore deri te rezistenca e armatosur. Rugova dhe brezi i tij i takon këtij të dytit.

"Kosova Sot": Si mund të interpretohet kërkesa e Rugovës për barazi dhe liri në kontekstin e zhvillimeve shoqërore dhe politike të Kosovës?
Jusuf Buxhovi: Kërkesa për barazi dhe liri, që ishte themel i programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte kërkesë reale, në rrethanat e tronditjeve në ish Jugosllavi, ku barazia nënkuptonte avancimin e subjektivitetit politik të Kosovës në federatën apo konfederatën e ardhshme jugosllave, me çka kjo e barazonte me subjektet tjera që kishin edhe të drejtën e shkëputjes. Kjo kërkesë, evoluoi tek ajo e pavarësisë, pas konferencës së Hagës së gushtit 1991 kur u pranua shpërbërja e Jugosllavisë. Kërkesa për liri, ishte në përputhje me frymën e ndryshimeve demokratike dhe të pluralizmit që solli rrënimi i Murit të Berlinit në nëntor 1989.

"Kosova Sot": Si njëri nga themeluesit e LDK-së, Rugovizmi si filozofi politike a bashkëjeton ende brenda LDK-së apo është shpërndarë edhe në partitë e tjera?
Jusuf Buxhovi: Ajo që quhet Rugovizëm dhe ka të bëjë me lëvizjen e shtetndërtimit tonë nga fundvitet e tetëdhjeta dhe ato të nëntëdhjeta, që ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës deri tek ndërhyrja e armatosur e NATO-s në mars të vitit 1999, ka të bëjë me dy faktorë: rrumbullakimin e shtetit të Kosovës nga brenda dhe nga jashtë, si dhe përkatësinë perëndimore, me në krye aleancën historike me SHBA-të. Spektri politik i Kosovës, me ndonjë përjashtim, mbrojnë këtë vijë, pa alternativë.

"Kosova Sot": Cilat janë temat që do të shqyrtoni në veprat tuaja të ardhshme?
Jusuf Buxhovi: Letërsia nuk i duron konceptet e as planet. Ajo i nënshtrohet imagjinatës dhe spontanitetit. Ndërsa, sa i përket historiografisë, në kuadër të planifikimeve të mia, mbetet edhe mbretëria e Epirit, që bashkë me Dardaninë dhe Maqedoninë të përkthyera edhe në anglisht, për ta plotësuar trinomin e mbretërive tona në antikitet.

"Kosova Sot": Çfarë mesazhi do të dërgonit për ata që janë të apasionuar pas studimit të historisë dhe letërsisë shqiptare, duke pasur parasysh edhe përvojën tuaj të gjatë si shkrimtar dhe historian?
Jusuf Buxhovi: Letërsia duhet të paraqesë liri shpirtërore përmes imagjinatës. Ndërsa historiografia angazhim të përhershëm për në shërbim të nxjerrjes së të vërtetës përmes fakteve dhe vetëm fakteve...
Intervistoi: Armend Preteni
(Kosova Sot Online)