Paraburgim për serbët që gjuajtën me armë zjarri në bjeshkët e Istogut

  • E.K /
  • 18 August 2020 - 10:06
Paraburgim për serbët që gjuajtën me armë zjarri në bjeshkët e Istogut

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për katër serbët që dyshohet se para tri ditësh kanë gjuajtur me armë zjarri në bjeshkët e Istogut

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Gjykata Themelore në Pejë.

“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve R.K, P.M, M.U dhe G.M, për shkak të dyshimit të bazuar se : Më parë e gjer me datë 15.08.2020, në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me nenin 5 par.1 të Ligjit për Armë (Ligji nr. 05/L-022) kanë mbajtur në pronësi dhe kontroll të paautorizuar armë nga të cilat me datë 15.08.2020, rreth orës 17:00, gjersa ishin së bashku në Bjeshkët e Istogut, kanë shkrepur disa herë në ajër duke shkaktuar frikësim dhe shqetësim te banorët e asaj ane, e të cilat armë pastaj i sekuestron policia”, bëhet e ditur në njoftim.

Të dyshuarit kanë kryer veprën penale “Përdorim i paautorizuar i mjetit të rrezikshëm apo armës”.

“Me këto veprime të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale përdorim i paautorizuar i mjetit të rrezikshëm apo armës nga neni 367 par.1 të KPRK-së. Të pandehurve R.K, P.M, M.U dhe G.M iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thekson njoftimi.

(Kosova Sot Online)