Maas: Retë e zeza po i mbulojnë raportet e Evropës me Rusinë, siguria po rrezikohet

  • E.K /
  • 01 September 2020 - 09:45
Maas: Retë e zeza po i mbulojnë raportet e Evropës me Rusinë, siguria po rrezikohet

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, ka thënë të hënën se retë e zeza po vijnë mbi raportet e Evropës me Rusinë, duke shtuar se siguria e kontinentit është në rrezik.

Gjermania i bëri thirrje Rusisë që t’i shtojë përpjekjet për hetimin e rastit të kreut të opozitës ruse, Aleksei Navalny, shëndeti i të cilit u përkeqësua papritmas. Ai është duke u trajtuar në një spital në Berlin.

“Natyrisht, presim që Rusia duhet të kontribuojë më shumë për ta sqaruar rastin e Navalnyt sesa që është duke bërë për momentin”, tha kryediplomati gjerman.

Navalny u sëmur gjatë një fluturimi nga Siberia në Moskë më 20 gusht, duke e detyruar pilotin e aeroplanit që të bënte ulje emergjente në Omsk, ku politikani qëndroi për dy ditë në një spital para se të dërgohej në Gjermani, shkruan Free Europe.

Ai po mbahet në repartin e kujdesit intensiv në një spital të Berlinit. Mjekët kanë thënë se Navalny është helmuar me një grup të substancave aktive, të cilat gjenden në disa ilaçe dhe pesticide.

Ekipi i tij ka thënë se Navalny është helmuar qëllimisht nga dikush dhe se qeveria ruse ka pasur rol në këtë veprim. Megjithatë, mjekët rusë kanë thënë se nuk kanë gjetur shenja të helmit gjatë trajtimit të politikanit në spital.

(Kosova Sot Online)