Hoti e Mustafa takojnë prodhuesit e qumështit

  • E.K /
  • 15 September 2020 - 13:26
Hoti e Mustafa takojnë prodhuesit e qumështit

Kryeministri Avdullah Hoti dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, sot kanë pritur në takim prodhuesit e qumështit

Në një njoftim për media nga zyra e Kryeministrit, bëhet e ditur se prodhuesit e qumështit kanë njoftuar Hotin dhe Mustafën për sfidat me të cilat po përballen.

“Me këtë rast, përfaqësuesit e prodhuesve të qumështit e njoftuan kryeministrin Hoti për sfidat me të cilat është duke u ballafaquar ky zinxhir prodhues si pasojë e pandemisë COVID – 19, për prodhimet e tyre që po mbesin pa u plasuar në treg, në të njëjtën kohë kërkuan mbështetjen e kryeministrit Hoti dhe të Qeverisë së Kosovës për tejkalimin e kësaj situate”, thuhet në njoftim.

Hoti tha se Qeveria është e gatshme për ta ndihmuar këtë sektor brenda mundësive ligjore dhe financiare.

“Qeveria e Kosovës është duke punuar me përkushtim për mbështetjen e sektorit privat dhe të prodhuesve vendës dhe përmes ministrive të linjës do të gjenden mënyra të përshtatshme për përballimin dhe tejkalimin e sfidave, me të cilat po përballen prodhuesit tanë, duke përfshirë edhe prodhuesit e qumështit”, ka thënë Hoti.

Hoti ka kërkuar që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ta shtojë kontrollin në terren për të siguruar ndarje të qartë të produkteve me bazë qumështin e freskët.

(Kosova Sot Online)