Trump: Turp që kemi 200,000 vdekje nga pandemia, por pa punën tonë do të ishin 2.5 milionë

  • E.K /
  • 23 shtator 2020 - 09:41
Trump: Turp që kemi 200,000 vdekje nga pandemia, por pa punën tonë do të ishin 2.5 milionë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se 200,000 vdekjet e shkaktuara nga koronavirusi në këtë vend janë turp.

Megjithatë, para se të nisej në udhëtim për një tubim zgjedhor në Pittsburg, ai para gazetarëve tha: “Mendoj se nëse nuk do ta kishim bërë (menaxhimin) në mënyrën e duhur dhe të drejtë, do t’i kishit 2.5 milionë vdekje”.

Shtetet e Bashkuara kanë më së shumti viktima të koronavirusit se cilido shtet tjetër në botë, 60,000 më shumë se Brazili që është në vendin e dytë. Shifra prej 200,000 rasteve fatale u arrit të martën.

Administrata e Trumpit është kritikuar që nuk ka reaguar më shpejt dhe në mënyrë më të prerë për ta parandaluar përhapjen e virusit. Nga 31.4  miliona raste të infektimeve në tërë botën, 6.9 milionë janë regjistruar në Shtetet e Bashkuara, shkruan The Guardian.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e fajësoi Kinën për pandeminë, duke thënë se ky vend është dashur ta ndalë virusin në kufi. “Kina e la këtë të ndodhë dhe vetëm mbajeni në mend këtë”, tha presidenti amerikan në kohën kur janë ngritur shqetësime që gjendja mund të përkeqësohet gjatë dimrit për shkak se njerëzit kalojnë më shumë kohë në hapësira të mbyllura.

Në një fjalim drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Trumpi tha se kjo organizatë duhet të marrë masa kundër Kinës dhe bëri thirrje që ky shtet të mbahet përgjegjës nga OKB-ja për, siç tha ai, lëshimin e virusit. Ai gjithashtu pretendoi pa dëshmi se Organizata Botërore e Shëndetësisë është pothuajse e kontrolluar nga Kina.

(Kosova Sot Online)