Mustafa: Arrestimi i Haki Rugovës me prapavijë politike, dyshojmë se deshën ta njollosin edhe Qeverinë Hoti

  • E.K /
  • 11 October 2020 - 17:27
Mustafa: Arrestimi i Haki Rugovës me prapavijë politike, dyshojmë se deshën ta njollosin edhe Qeverinë Hoti

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas caktimit të masës së arrestit shtëpiak të kryetarit të Istogut dhe nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova.

Mustafa në një konferencë për media tha se arrestimi i Haki Rugovës është bërë pa asnjë bazë ligjore dhe se ky arrest është kryer në ditën kur është raportuar për 100 ditëshin e Qeverisë, që sipas tij, dyshohet se ka pasur për qëllim njollosjen e Qeverisë.

“Në emër të LDK-së kërkoj të zhvillohet sa ma shpejt procesi gjyqësor, të vërtetohet bazueshmëria ligjore e akuzave ndaj Haki Rugovës, në qoftë se ky proces zhagitet, ne konsiderojmë se arrestimi, degradimi para opinionit si kryetar i komunës, si nënkryetar i LDK-së, si familjar është bërë me qëllime politike që ta dëmtojë atë personalisht dhe ta dëmtojë LDK-në. Arrestimi është kryer në ditën kur është raportuar për 100 ditëshin e Qeverisë, sepse ska asnjë aferë korruptive, dhe ne dyshojmë që është tentuar të njolloset kjo Qeveri”, tha Mustafa.

Gjykata Themelore në Pejë sot ka marrë vendim që t’ia caktojë masën e arrestit shtëpiak  prej 1 muaji kreut të Komunës së Istogut, Haki Rugovës.

Rugova është arrestuar nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke u dhënë familjarëve tokë të komunës. Një gurëthyes është arsyeja e arrestimit të kryetarit të Istogut. Ai dyshohet se i dha në shfrytëzim një parcelë publike familjarëve të tij, të cilët ushtrojnë këtë veprimtari.

(Kosova Sot Online)