Probleme serioze që i rrezikojnë funksionet qeveritare

Probleme serioze që i rrezikojnë funksionet qeveritare
Probleme serioze që i rrezikojnë funksionet qeveritare

Riza Smaka

  • 11 October 2020 - 17:17

Shkruan: Prof. Dr. Riza Smaka

Qeveria e tillë ,e cila, nder të tjera, dështon gjashtë herë për ta kaluar një akt ligjor, në rrethana normale e në shtete të së drejtës, do të jepte dorëheqje , do të shkarkohej pa dilema as hezitime për dallim në vendin tonë, në të cilin, nuk sundon e drejta, së pakut jo në sferat më të rëndësishme të pushteteve shtetërore. Nga aspekti legal një akt ligjor qe në etapën e parë dështon të miratohet në Kuvend, nuk do të mund të përsëritej procedura votuese për të njëjtin pos pas kalimit të një afatit të arsyeshëm dhe modifikimeve të konsideruara në përmbajtjen e tij tërësisht në harmoni me vërejtjet e prezantuara në debatin e mëparshëm, nga se, ndër të tjera do të shkaktohej shkelja e nenit 70 të Kushtetutës sipas të cilit deputeti e deputetja në asnjë farë mënyre nuk lejohet të stimulohen me mjete as instrumente joligjore për të votuar në mënyrën qe i përshtatet ekzekutivit përkatësisht politikës ditore pushtetare.

-Fillimisht duhet theksuar , madje jo vetëm një herë, faktin se, Qeveria aktuale ka qenë formuar në kundërshtim me provizione konkrete dhe me parime themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe, si e tillë ,Ab Initio, ishte dhe mbetët juridikisht defektoze. Qeveria aktuale ka qenë formuar me numrin minimal të nevojshëm, por, dy vota nga ai numër, ishin invalidore, një nga se, deputeti qe tani ndodhet në burg ishte i shpallur fajtor dhe i dënuar mbi gjashtë muaj dhe si i tillë nuk e kishte cilësinë as mandatin e deputetit dhe dy, deputeti që më parë botërisht ka pas deklaruar se nuk do ta votonte këtë Qeveri, personalisht, në amfiteatrin e Kuvendit, ka pas pohuar se, Presidenti i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ish Kryeministri i Republikës së Kosovës, i paskan pas hyrë në shtëpi pas mesnate dhe ia paskan pasë kushtëzuar votimin e kundërt me bindjen e pikëpamjen e tij, pro formimit të saj – Qeverisë aktuale.

Është e pa shpjegueshme juridikisht , pse Gjykata Kushtetuese ,këtë rast, as deri sot nuk e ka gjykuar sipas Kushtetutës. Mbase edhe në këtë situatë ajo gjykatë do të veprojë jo sipas Kushtetutës por konform me interesat politike ditore. Rrjedhimisht, Qeveria aktuale , me mbështetje minimale të nevojshme nga deputetët pozitarë , ka dështuar shpesh herë, ndër të tjera, duke mos treguar kapacitet funksional as pas gjashtë përsëritjeve të votimit të një aktit ligjor, për ta miratuar të njëjtin. Po ashtu kjo Qeveri jo q nuk ka kapacitet elementar për ushtrimin e funksionit primar të ekzekutivit – të propozimeve , miratimeve dhe implementimeve të akteve ligjore sistemore por aktivitetin e tillë nuk e ka të projektuar në planin e veprimit të vetë veçanërisht referuar novelimeve kushtetuese, akteve ligjore për pasurinë ilegale, për zgjedhjet e përgjithshme, për përgjegjësinë morale, politike e funksionale, për Qeverinë e jo pak të tjera.

Edhe ndërlidhja e postit të Presidentit me kombinatorika ndërpartiake do të ishte në kundërshtim me provizionin kushtetues në fjalë. Gjithsesi Qeveria aktuale, do të nevojitej të ristrukturohej e riformatizohej por konform me Ligjin për Qeverinë të miratuar paraprakisht ose të dorëhiqej dhe të krijonte hapësirë demokratike për zgjedhje të përgjithshme të drejta e të ligjshme!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".