Obiliqi kthehet në zonën e kuqe

  • E.K /
  • 13 November 2020 - 20:07
 Obiliqi kthehet në zonën e kuqe

Komuna e Obiliqit është rikthyer në zonën e kuqe, sipas vlerësimit të situatës epidemiologjike nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik Të Kosovës.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, i cili iu ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë masat e reja, të dala nga Qeveria Hoti,

“Sapo kemi pranuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, në të cilin Obiliqi ndodhet në zonën e kuqe të masave të reja antiCovid-19, me këtë rast ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve, që të respektojnë të gjitha vendimet e dalura nga institucionet e nivelit qendror, ndërsa ne, si shtab emergjent komunal në koordinim me gjithë akterët dhe në bashkëpunim me qytetarët do të zbatojmë këto masa në funksion të parandalimit të përhapjes se virusit Covid-19”, ka deklaruar ai.

Tutje, ai ka rikujtuar edhe masat e ndërmarra për komunat që gjenden në zonë të kuqe.

“Masat për këtë kategori janë:

-Ndalohet lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive/banesave të tyre pas orës 19:00 e deri në orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelit shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme;

-Ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve në territorin e komunës përkatëse nga ora 19:00 deri në orën 05:00, përveç:

-Personelit shëndetësor, personelit të sigurisë, drejtësisë dhe studentëve; -Qytetarëve për nevoja emergjente; 25.2.3. Operatorëve që kryejnë punë publike;

-Ndalohet veprimtaria e gastronomisë nga ora 19:00 deri në orën 05:00;

-Institucionet publike dhe private punojnë vetëm me stafin esencial, i cili staf përcaktohet me vendim të secilit institucion në veçanti;

-Transporti publik lejohet të punojë me 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

-Taksitë lejohen të punojnë me vetëm një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes;

-Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), duke shfrytëzuar vetëm 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19″; -Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID- 19″;

-Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar vetëm 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19″”, ka shtuar tutje ai.

Obiliqi përgjatë ditës së sotme pati 16 raste të reja me Covid-19, sipas komunikatës ditore të IKSHPK’së.

(Kosova Sot Online)