Zbulohet arsyeja përse Gjykata Kushtetuese e dërgon vendin në zgjedhje

  • A.P /
  • 21 December 2020 - 21:42
 Zbulohet arsyeja përse Gjykata Kushtetuese e dërgon vendin në zgjedhje

Pothuajse askush nuk ka qenë i përgatitur për një vendim kaq të vështirë të Gjykatës Kushtetuese, për ta çuar vendin në zgjedhje. Prej momentit kur LVV e ka kontestuar votën e deputetit Hetem Arifi, si votë që kishte qenë kritike për formimin e qeverisë Hoti, shumëkush ka spekuluar për vendimin që do ta merr Gjykata Kushtetuese, duke e ditur që ai deputet ka qenë i dënuar në kohën kur kishte votuar.

Ekspertët mendonin që Gjykata Kushtetuese do ta rikthejë edhe njëherë në votim qeverinë Hoti, por duket që situata dhe disponimi në Gjykatë ka ndryshuar në orët e fundit.

Media ka kuptuar që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese e kanë llogaritur votimin për qeverinë Hoti, si votim të dështuar, që do të thotë si votim të dytë të dështuar, e që Kushtetuta e Kosovës e parasheh qartë që nëse Kuvendi i Kosovës nuk mundet dy herë që ta zgjedhë qeverinë, atëherë Presidenti i shpall zgjedhjet në afat brenda 40 ditësh.

“Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thotë neni 95, pika e 4 e Gjykatës Kushtetuese.

Ky vendim i Kushtetutës nuk i jep diskrecion askujt. Ky është vendim i prerë që e detyron Presidenten thjesht dhe vetëm t’i shpall zgjedhjet.

(Kosova Sot Online)