Niveli shqetësues i varfërisë në Francë

  • E.K /
  • 24 December 2020 - 11:00
Niveli shqetësues i varfërisë në Francë

Sa njerëz të varfër jetojnë në Francë dhe çfarë nënkupton fjala “i varfër” sot? Një raport i ri ka hedhur dritë mbi ndryshimin e fytyrës së shumicës së grupeve më të privuara në Francë.

I publikuar muajin e kaluar, raporti i Vëzhguesit për Pabarazi (l’Observatoire des inegalites), i titulluar “Varfëria në Francë 2020-2021), dha një pamje serioze të gjendjes në Francë, shkruan Thelocal.fr.

“Franca mbetet një ndër modelet më të mira sociale në botë që i mbron të varfrit e saj më mirë se shumica e vendeve të pasura. Kjo nuk nënkupton se situata nuk është shqetësuese”, thuhet në raport.

Sipas autorëve të raportit, të dhënat e paraqesin gjendjen para ndikimit të vërtetë të pandemisë në një prej shteteve më të prekura në Evropë.

“Do t’i paguajmë dëmet përmes një shtimi të pritur dhe shkatërrues të papunësisë”, thanë autorët e këtij raporti, duke shtuar se rinia është veçanërisht në gjendje shqetësuese, duke vlerësuar se personat e moshës nën 30 si humbësit më të mëdhenj nga kriza ekonomike dhe sociale.

Të dhënat e këtij raporti janë marrë nga Instituti Kombëtar për Hulumtime, Insee. Disa prej tyre janë nga viti 2018 për shkak të mungesës së shifrave të reja.

5.3 milionë – numri i njerëzve që kanë jetuar me më pak se 885 euro në muaj gjatë vitit 2018;

8.3 për qind – përqindja e njerëzve të varfër në Francë, ose mbi 5 milionë nga popullsia e përgjithshme prej mbi 67 milionësh.

0.4 për qind – shkalla e rritjes së varfërisë në Francë nga viti 2013 deri në vitin 2018. Përqindja mund të duket e vogël, por ajo nënkupton 350.000 të varfër më shumë.

30 – Gjysma e banorëve të varfër të Francës janë nën moshën 30-vjeçare.

5.5 milionë – numri i njerëzve në Francë që në vitin 2017 kanë marrë ndihma ushqimore

56 për qind – përqindja e popullsisë që thotë se qeveria nuk është duke bërë mjaft për t’i ndihmuar grupet më të varfra të shoqërisë.

(Kosova Sot Online)