Para mbylljes së seancës, avokatët e ish-krerëve të UÇK-së thonë pak fjalë të mira për Specialen

  • E.K /
  • 16 February 2021 - 15:17
Para mbylljes së seancës, avokatët e ish-krerëve të UÇK-së thonë pak fjalë të mira për Specialen

Ka përfunduar seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare. Përpara se gjykatësi ta mbyllte këtë seancë, palët i kanë dhënë propozimet e tyre për seancën e radhës, ndërsa avokatët e ish-krerëve të UÇK-së kanë zgjedhur pak fjalë të mirë për Gjykatën Speciale, pas shumë vërejtjeve që i parashtruan sot.

Prokuroria ka propozuar që në fillim të marsit të ketë një tjetër seancë paragjyqësore në këtë çështje.

“Ne inkurajojmë mbikqyrjen aktive të procesit paragjyqësor dhe do ta mirëprisnim një konferencë të tillë në fillim të marsit”, ka thënë prokurorja e ZPS-së.

Ndërkaq Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit, ka thënë se duhet ndërhyrje e fortë gjyqësore në këtë proces, derisa ka propozuar që seanca e radhës të mbahet edhe më vonë sesa pas katër javësh.

“Kërkohet kohë, sepse duhet përkatitur dhe nuk di nëse duhet t’i mbajmë këto konferenca çdo katër javë. Mbase do të ishte më mirë çdo gjashtë javë”, tha Emmerson.

“Për momentin duhet një ndërhyrje e fortë gjyqësore për t’u siguruar që procesi të vihet në rrugën e duhur. Prandaj, edhe unë jam me Prokurorinë që të mbajmë një konferencë tjetër në fillim apo në mes të marsit”, shtoi ai.

Ndërsa David Hooper, avokat i Hashim Thaçit tha se këto konferenca duhet të mbahen për sa kohë “Prokuroria po i shmanget rrugës së drejtë”.

“Për sa kohë Prokuroria po i shmanget rrugës së drejtë, ne duhet t’i mbajmë këto konferenca”, tha ai.

Ndërkaq David Young, avokat i Rexhep Selimit, tha se “mesi i marsit do të ishte me vënd” që të mbahet seanca e radhës.

Hooper, avokat i Thaçit, tha në fund se ka diçka pozitive për të thënë lidhur me Gjykatën Speciale.

“Dua të them diçka pozitive lidhur me Dhomat e Specializuara. E falenderoj zyrën e administratës që na ka ndihmuar vazhdimisht sa herë që ne kemi pasë ndonjë kërkesë. Ne e kemi ngritur me këtë zyrë vështirësinë që kemi për t’i marrë këto materiale”, tha ai.

Të njëjtën e bëri edhe Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit.

“Dua edhe unë të mbështes komentet e Z.Hooper. [..] Ne kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyeshme me këtë zyrën e administratës, që ka bërë gjithçka që ka mundur që mbrojtja ta marrë materialin e nevojshëm”, tha Emmerson.

Gjykatësi Nicolas Guillou tha se seanca e radhës paragjyqësore do të mbahet “kur të jetë koha e duhur”, ndërsa i inkurajoi palët që të bëjnë parashtrime me shkrim për çfrëdo që kanë.

(Kosova Sot Online)