Albin Kurti: Do të mundësojmë punësim të garantuar për një vit për të rinjtë nga 16-18 vjet

  • E.K /
  • 25 February 2021 - 12:10
Albin Kurti: Do të mundësojmë punësim të garantuar për një vit për të rinjtë nga 16-18 vjet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka vazhduar me premtimet e tij për qeverisjen e re.

Kurti ka shkruar se gjatë qeverisjes së tij do të mundësojnë punësim të garantuar për periudhë një vjeçare për 16-18 vjeçarët.

“Rinia jonë është krenaria jonë. Fatkeqësisht, shumë nga ta e kanë lëshuar vendin për shkak të mungesës së perspektivës dhe përhapjes së madhe të korrupsionit. Ne do ta kthejmë mbrapsht këtë trend duke investuar në edukimin e tyre dhe në idetë inovative sepse rinia jonë e ka dëshmuar se nëse iu ipen mundësitë e njëjta ata mund t’i tejkalojnë moshatarët e tyre. Ne do të mundësojmë punësim të garantuar një vjeçar për 16-18 vjeçarët për të përmirësuar aftësitë dhe eksperiencën e punës. Ne do të japim një mijë bursa në shkencat teknike dhe të natyrës për vajzat në mënyrë që ne gradualisht të rregullojmë pabarazinë gjinore. Ne do të krijojmë Fondin për Kërkime Shkencore, një Tekno-park, një fakultet të IT dhe të sigurojmë qasje në zyra falas për fillestarët, për të përgatitur rininë tonë për të ardhmen konkurruese. 2000 grante të dedikuara për inovacionin do të sigurohen çdo vit për të rinjtë në të gjithë vendin”, ka shkruar Kurti.

Ai poashtu ka thënë se do ta bëjnë më të lehtë për familjet e reja që të sigurojnë shtëpi me çmim të përballueshëm.

“Me skemat tona të mbështetjes së strehimit, ne do ta bëjmë më të lehtë për familjet e reja për të gjetur shtëpi të përballueshme për të filluar jetën e tyre të re, këtu në Kosovë. Së bashku ne mund të fitojmë të ardhmen”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)