Hyseni: Dialogu ishte në rrugë të mbarë

  • A.P /
  • 02 mars 2021 - 22:02
Hyseni: Dialogu ishte në rrugë të mbarë

Koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, ka thënë se edhe ai të martën është takuar me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Kisha një takim përmbajtjesor me Lajçakun. Ai kishte dëshirë të takohej me mua dhe të jepte perspektivën e tij se si e shihte ai vazhdimin e dialogut të rinisur në korrik të vitit të kaluar. Kishte ardhur për të mësuar më shumë për pikëpamjet e liderëve të partive politike dhe në veçanti partisë fituese”, tha Hyseni.

Hyseni ka thënë se dialogu i rinisur dhe që u udhëheq nga Qeveria Hoti ka bërë një përparim të ndjeshëm në trajtimin e elementëve kryesorë të një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Qeveria në detyrë dhe unë si koordinator jemi kujdesur që të paraqesim dhe ‘imponojmë’ te ndërmjetësi i BE-së një kornizë të qartë parimesh se si duhet zhvilluar dialogu dhe se çka duhet të përmbajë ajo pako gjithëpërfshirëse. Dhe më e rëndësishmja që çfarëdo marrëveshje s’guxon të prekë sovranitetin dhe karakterin unitar të vendit. Rregullimi kushtetues nuk guxon të preket dhe këtë e ka pasë të qartë Lajçaku”, ka thënë Hyseni.

Hyseni, që kishte deklaruar se dialogu është çështje muajsh dhe assesi vjetësh, tha se rrjedha e dialogut u ndal për shkak të rënies së Qeverisë Hoti.

“Dialogu ishte në rrjedhë të shëndetshme që pashmangshëm çonte në një njohje reciproke Kosovë-Serbi dhe besoj që edhe pas kësaj ndërprerje qeveria e ardhme do ta vazhdojë aty ku e kemi lënë.

Lajçak mua sot ma ripërsëriti se po që se vazhdon procesi në atë kornizë në të cilën është filluar për pak muaj mund të arrihet (marrëveshja)”, tha Hyseni.


(Kosova Sot Online)