Sot mblidhet komiteti për vlerësim të situatës me COVID-19, këto janë masat që kërkojnë komunat

  • E.K /
  • 04 March 2021 - 10:57
Sot mblidhet komiteti për vlerësim të situatës me COVID-19, këto janë masat që kërkojnë komunat

Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me COVID-19 do të mblidhet sot për të vlerësuar masat që duhet të ndërmerren për menaxhimin e situatës me koronavirus.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se kryetarët e komunave kanë kërkuar që të vazhdohet me masat aktuale dhe zbatimin e tyre.

“komunat kërkojnë të vazhdohet me masat aktuale dhe zbatimin e tyre. Kërkohet një mobilizim më i madh i mekanizmave inspektues në nivel vendi, pra mekanizmat komunal dhe qendror së bashku me policinë e Kosovës në zbatimin e masave aktuale”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ibrahimi tha se kategorizimi i deritanishëm i komunave sipas shkallës së rrezikshmërisë, ka treguar sukses.

“Kategorizimi me ngjyra i komunave ka dhënë efekte pozitive dhe kërkohet të vazhdohet kështu”, deklaroi Ibrahimi.

Ndryshe, rastet me COVID-19 ditëve të fundit kanë shënuar rritje.

(Kosova Sot Online)