Polonia dhe Bjellorusia kapen për një datë, ia dëbojnë diplomatët njëra-tjetrës

  • S.A /
  • 13 March 2021 - 09:31
Polonia dhe Bjellorusia kapen për një datë, ia dëbojnë diplomatët njëra-tjetrës

Polonia dhe Bjellorusia kapen për një datë, ia dëbojnë diplomatët njëra-tjetrës

Polonia ia dëboi dy diplomatë Bjellorusisë në atë që një zëvendësministër e quajti reciprocitet. Dy shtetet evropiane janë përfshirë në një mospajtim rreth përkujtimit të një ngjarjeje të Luftës së Dytë Botërore dhe përkrahjes që Polonia po ua jep protestuesve kundër pushtetit në Bjellorusi.

“Për shkak të gjesteve të vazhdueshme jomiqësore të Minskut ndaj diplomatëve polakë, Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë vendosi t’i dëbojë konsullin e përgjithshëm të Bjellorusisë në Bialystok dhe konsullin nga Varshava në bazë të parimeve të reciprocitetit”, njoftoi zëvendësministri i Jashtëm polak, Marcin Przydacz.

Ky vendim erdhi vetëm një ditë pasi Ministria e Jashtme e Bjellorusisë tha se i ka dëbuar dy diplomatë polakë në lidhje me “reagimin e tepruar, asimetrik dhe destruktiv të Polonisë”, shkruan Free Europe.

Organizimi jozyrtar që u bë shkak i kësaj përplasjeje u mbajt më 28 shkurt në qytetin jugperëndimor bjellorus, Brest, për t’i nderuar të ashtuquajturit “ushtarë të nëmur” – luftëtarët polakë që fillimisht luftuan kundër pushtimit nazist, por që më vonë u kthyen kundër pushtuesve sovjetikë. Këta ushtarë shpesh kishin vepruar në mënyrë të dhunshme ndaj pakicave, sidomos bjellorusëve.

Më 9 mars, Bjellorusia njoftoi se do ta dëbojë konsullin polak, Jerzy Timofejuk, duke thënë se ai ka marrë pjesë në ceremoni. Ky veprim e nxiti Varshavën që të shpallë “persona non grata” një diplomat bjellorus një ditë më pas.

(Kosova Sot Online )