Pas thirrjes së ministrit Vitia, Prokuroria autorizon policinë për të iniciuar rast për veprën” Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”

  • E.K /
  • 17 April 2021 - 12:50
 Pas thirrjes së ministrit Vitia, Prokuroria autorizon policinë për të iniciuar rast për veprën” Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”

Dje mediumi “Insajderi” ka publikuar një hulumtim rreth procesit të sigurimit të vaksinave. Siç ka raportuar një medium, thuhet që ministri Vitia të ketë refuzuar nënshkrimin e një kontrate me kompanitë “Pfizer dhe BioNTech”. Kjo është demantuar nga vetë ministri mbrëmë, i cili ka bërë thirrje që Prokuroria të veprojë ndaj atyre që dëmtojnë një proces kaq jetik për qytetarët.

“Ne ftojmë prokurorin e shtetit që të mbrojë interesin publik dhe shëndetin e qytetarëve dhe të veprojë ndaj kujtdo që dëmton një proces kaq delikat, por kaq jetik”, kishte thënë Vitia mbrëmë.

Ndërkohë sot Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë e Kosovës që të iniciojë rast në drejtim të veprës penale “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” pas konferencës së djeshme të mbajtur nga ministri Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se, pas konferencës së mbajtur mbrëmë, nga Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitija, lidhur me demantimin e lajmeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore në pajtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 426 të KPRK-së”, thuhet në njofitmin e Prokurorisë.

Në fund Prokuroria thotë se kushdo që tenton të dëmtojë procese dhe të cenojë interesin publik dhe shëndetin e qytetarëve do të përballet me drejtësinë.

“Prokurori i Shtetit, do të veprojë në secilin rast ku cenohet interesi publik dhe shëndeti i qytetarëve, konform autorizimeve të tij ligjore, prandaj ju sigurojmë se kushdo që tenton ta dëmtojë një proces kaq delikat dhe konfidencial, do të përgjigjet para organeve të drejtësisë”, përfundon njoftimi.

Një medium pas konferencës së mbrëmshme të Vitisë, ka publikuar edhe dokumentacione, ku shihen email-a të shkëmbyer me kompaninë “Pfizer dhe BioNTech”.

(Kosova Sot Online)