Rusia radhit 15 aeroplanë supersonikë jo shumë larg Ukrainës

  • E.K /
  • 21 April 2021 - 10:53
 Rusia radhit 15 aeroplanë supersonikë jo shumë larg Ukrainës

Në disa pamje satelitore nga një bazë ushtarake ruse shihen 15 aeroplanë supersonikë, Su-34, të cilët duket se po presin urdhër për sulm.

Kjo pamje dhe fotografi të tjera të bëra nga ajri i shfaqin përgatitjet masive të ushtrisë ruse në zonën kufitare me Ukrainën, shkruan Daily Mail.

Pesëmbëdhjetë aeroplanët luftarakë u fotografuan në bazën ajrore ruse “Morozovsk”. Këta aeroplanë kanë shpejtësi maksimale marramendëse prej 2.200 kilometrash në orë.

Aeroplanët janë të armatosur me raketa që lëvizin me laser dhe me një cilindër sulmues të kalibrit 30-milimetërsh me kapacitet të gjuajtjes së 1.800 plumbave në minutë.

Besohet se së paku 80.000 trupa ruse janë grumbulluar afër kufirit lindor të Ukrainës dhe në Krimenë e pushtuar, ndërsa 30.000 të tjerë pritet të arrijnë në fund të muajit, sipas raporteve të qeverisë ukrainase.

Ekspertët thanë se dërgimi i aeroplanëve sulmues në largësi kaq të vogël nga Ukraina është mesazh shumë i fuqishëm për vendin fqinj.

Ish-gjenerali i forcave ajrore të ShBA-së, Philip Breedlove, tha: “Ata kanë vendosur në mënyrë të duhur elemente të ndryshme të fuqisë ajrore që do të nevojiteshin për të vendosur superioritet në ajër në fushëbetejë dhe për përkrahje të drejtpërdrejtë për trupat tokësore.”

Ndryshe, javën e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, e bllokoi Ngushticën e Kerçit dhe luftanijet ruse u vendosën në pozita të atilla që ta bllokojnë qasjen në det nga bregdeti juglindor i Ukrainës.

(Kosova Sot Online)