Die Welt: Franca po i vonon 1.8 miliard vaksina për interesa të veta

  • E.K /
  • 07 May 2021 - 11:22
 Die Welt: Franca po i vonon 1.8 miliard vaksina për interesa të veta

Gazeta e njohur gjermane, “Die Welt”, duke cituar diplomatë të BE-së, ka raportuar se Franca është duke e vonuar porosinë e Bashkimit Evropian për 1.8 miliard doza të vaksinës së kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”, të planifikuara për dy vitet e ardhshme.

Kjo gazetë tha se është e paqartë se cila është arsyeja e ngurrimit nga Parisi, por diplomatët kanë spekuluar se Franca mund të dëshirojë që kompanitë franceze të kenë pjesë më të madhe në prodhimin e vaksinave, shkruan Reuters.

E përditshmja gjermane raportoi se në takimet e fundit rreth porosive të vaksinave, përfaqësuesit francezë e kanë mbajtur pezull vendimmarrjen duke paraqitur pyetje teknike dhe kërkesa për sqarime.

Për shkak të kërkesës masive globale për sigurimin e dozave dhe sa më shumë vaksinave për të rinjtë, qeveritë e vendeve anëtare të BE-së kanë frikë se mund të bëhet vonë dhe të dështojnë porositë.

“Do të ishte një katastrofë, për të cilën Franca do të ishte përgjegjëse”, citoi një diplomat gazeta gjermane.

(Kosova Sot Online)