Haki Abazi kërkon ndryshim te mediet dhe OJQ-të, ua dikton debatin që duhet ta zhvillojnë, ndryshe ndërhyn Gjykata

  • E.K /
  • 07 May 2021 - 11:24
 Haki Abazi kërkon ndryshim te mediet dhe OJQ-të, ua dikton debatin që duhet ta zhvillojnë, ndryshe ndërhyn Gjykata

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se pas ndryshimit në skenën politike duhet të ndodhë ndryshim edhe në sferën e mediave dhe OJQ-ve, teksa shtoi se në këtë aspekt nevojitet gjykata dhe ligji i drejtë dhe funksional.

Në një shkrim në Facebook, deputeti I LVV-së, thotë se ndryshimi në skenën politike ka ndodhur duke u flirtuar bazuar në dije dhe rezultate individuale.

E njejtë sipas tij duhet të ndodhë edhe në sferën e mediave dhe OJQ-të, shton ai.

Tutje, deputeti i LVV-së ua ka diktuar mediave dhe OJQ-ve se llojin e debatit që zhvillojnë, në mënyrë, sic thotë ai, që t’i ndihmojnë procesit të gjithmbarshëm.

“Pengesa e vetme për progres mund të jetë stërkeqja dhe ndërskamcat që vendosen me qëllim të krijimit të sensit të urgjencës  që të shkaktohet zhgënjim dhe të pengohet evolucioni politik. Përtej zhurmës shurdhuese të atyre që as nuk e donin ndryshimin dhe ishin pjesë e një etape dy dekadshe që ka përfunduar. Kjo që ka filluar nuk mund të jetë mjaltë sepse është një grumbull, mal me të këqija që janë shtresuar e vazhdojnë të transformohen në klimën e re të krijuar. Shansi është i madh, më i madh se pritjet që kemi, por duhet punë dhe dije, dhe largim nga metodat dhe mendêsia e kaluar. Mospajtimi konstruktiv, debati për çështjet dhe thellimi në ide e praktika të progresit duhet konsideruar vlerë e kontribut i domosdoshëm”, tha i njejti, teksa shton se kryqëzimi i individëve nuk duhet të ndodhë sepse këtu duhet të ndërhyrë gjykata dhe ligji.

“Kryqëzimi i individëve dhe emrave është formë e frikës nga e vërteta dhe fakti. Këtu nevojitet gjykata dhe ligji i drejtë dhe funksional”, tha ai.

(Kosova Sot Online)