Këto janë masat e reja anti-Covid të ndërmarra nga Qeveria

  • A.P /
  • 07 maj 2021 - 19:20
Këto janë masat e reja anti-Covid të ndërmarra nga Qeveria

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar vendimin e Qeverisë për plotësimin dhe ndryshimin e masave për parandalimin e koronavirusit.

Në vendimin e publikuar nga MSH’ja në llogarinë e tyre në ‘Facebook’, thuhet se të gjithë shtetasit kosovarë që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut detyrohen të karantinohen në shtëpitë e tyre.

“Shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut duhet të karantinohen në shtëpitë (vendin e banimit) e tyre për katërmbëdhjetë (14) ditë duke u testuar dy herë në javë”, thuhet ndër të tjera në vendimin e qeverisë, së publikuar nga MSH’ja.

Siç arsyetohet në vendim, karantinimi i qytetarëve që vijnë nga këto vende po bëhet në mënyrë që të frenohet shpërndarja e varianteve të reja të koronavirusit që janë shfaqur në vendet respektive.

Postimi i plotë:

Vendimi i Qeverisë për masa të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e  pandemisë COVID-19.

 Në Vendimin Nr. 01/07, të datës 18.04.2021, shtohen pikat si në vijim:

 3A. Ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës për personat që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut.

 3A.1 Shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut duhet të karantinohen në shtëpitë (vendin e banimit) e tyre për katërmbëdhjetë (14) ditë duke u testuar dy herë në javë.

 3A.2 Pika 3A.1 nuk vlen për shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët qëndrojnë transit (më pak se 48 orë) në shtetet e përcaktuara në pikën 3A.1 të këtij vendimi.

 3A.3 Diplomatët e huaj si dhe familjarët e tyre përjashtohen nga fushëveprimi i pikës 3A të këtij vendimi.

 Udhëzohen Ministria e  Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Ministria e Punëve të Brendshme të marrin vendimet dhe veprimet e nevojshme në përputhje me fushat e përgjegjësisë administrative të tyre me qëllim të zbatimit të këtij Vendimi.

Plotësimi dhe ndryshimi është bërë duke marrë parasysh situatën aktuale epidemiologjike në botë, shfaqjen e varianteve të reja të COVID-19, në Indi, Brazil dhe Afrikë të Jugut, rrezikun e bartjes së varianteve të reja nga udhëtimet prej këtyre shteteve, prandaj për parandalimin e ardhjes së varianteve të reja u vendos si më lart.


(Kosova Sot Online)