Aleksander Vuçiq: Nuk besoj se NATO do të na kërkojë ndonjëherë falje për bombardimet

  • E.K /
  • 25 May 2021 - 12:30
 Aleksander Vuçiq: Nuk besoj se NATO do të na kërkojë ndonjëherë falje për bombardimet

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i tha portalit çek “Parlamentní listy” se ai nuk beson se NATO-ja do t’i kërkojë ndonjëherë falje Serbisë për bombardimin në vitin 1999, siç bëri së fundmi presidenti çek, Millosh Zeman.

“Ata do të vazhdojnë të përsërisin se bënë më të mirën e mundshme dhe donin vetëm të parandalonin një katastrofë humanitare. Unë nuk besoj në ndonjë kërkimfaljeje zyrtare institucionale nga NATO. Por nëse më pyet nëse Millosh Zeman është presidenti i fundit që e bën atë, unë nuk mendoj kështu. Është e para, por nuk është e fundit”, tha Vuçiq.

Ai deklaroi se kërkimfalja e presidentit çek për bombardimet ishte një “balsam shërues për plagën e kombit serb”.

“A e dini se çfarë do të thotë kjo për një komb të vogël në Evropë? Kombi ynë i vogël u sulmua nga 19 vende të huaja, të cilat gjithmonë do të thonë se ata e bënë atë për shkak të një katastrofe humanitare, për shkak të fëmijëve, për shkak të gjithçkaje. Në vend të kësaj, ata vranë 72 fëmijë në Serbi duke i bombarduar ata. A ishte ky çmimi që u detyruam ta paguanim? A donin ata të na ndëshkonin në këtë mënyrë? Ky me të vërtetë nuk ishte dënim i ligjshëm. Kjo është arsyeja pse fjalët e presidentit Zeman nuk janë vetëm shumë të rëndësishme për mua, por gjithashtu ngrenë krenarinë time dhe dinjitetin e kombit tonë. Ai nuk mund t’i bënte më të lumtur qytetarët tanë”, tha Vuçiq.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq tha parmbrëmë se është e bindur se askush në NATO nuk është i kënaqur që presidenti çek kërkoi falje për bombardimin e Serbisë.

(Kosova Sot Online)