Miliarderët Bill Gates dhe Warren Buffett, do ta ndërtojnë reaktorin e parë bërthamor me natrium

  • E.K /
  • 03 June 2021 - 10:25
 Miliarderët Bill Gates dhe Warren Buffett, do ta ndërtojnë reaktorin e parë bërthamor me natrium

Kompanitë energjetike, të udhëhequra nga miliarderët amerikanë, Bill Gates dhe Warren Buffett, e kanë zgjedhur shtetin Wyoming të ShBA-së për ta ndërtuar reaktorin e parë bërthamor me natrium.

Kompania “TerraPower”, e themeluar nga Bill Gates rreth 15 vite më parë, dhe kompania “PacifiCorp”, në pronësi të një kompanie tjetër të miliarderit Warren Buffett, thanë të mërkurën se vendi i saktë për ndërtimin e reaktorit me natrium pritet të dihet në fund të vitit.

“Ne mendojmë se natriumi do të jetë ndryshues i lojës për industrinë e energjisë”, tha Gates në një konferencë për medie gjatë lansimit të projektit në Wyoming.

Guvernatori i këtij shteti, Mark Gordon, deklaroi: “Energjia bërthamore është qartazi pjesë e strategjisë sime për energjinë”. Wyoming-u është shteti amerikan që prodhon më së shumti energji nga thëngjilli, shkruan The Guardian.

Kompania “TerraPower” tha se zhvillimi i këtij projekti mund të kushtojë rreth 1 miliard dollarë dhe prej tij pritet të sigurohen 345 megavatë energji elektrike, me mundësi të rritjes së kapacitetit në 500 megavatë gjatë kohës kur rritet kërkesa.

Vitin e kaluar, Departamenti i Energjisë në Shtetet e Bashkuara ia dha kompanisë “TerraPower” 80 milionë dollarë si financim fillestar për ta demonstruar energjinë e përftuar nga natriumi. Qeveria është zotuar për fonde shtesë në vitet e ardhshme.

(Kosova Sot Omline)