Shteti me më së shumti myslimanë në botë anulon haxhillëkun

  • E.K /
  • 03 June 2021 - 10:41
 Shteti me më së shumti myslimanë në botë anulon haxhillëkun

Indonezia – shteti me numrin më të madh të myslimanëve në botë – edhe këtë vit e ka anuluar pelegrinazhin e haxhillëkut për shkak të shqetësimeve rreth pandemisë së koronavirusit, njoftoi ministri i Çështjeve Fetare të enjten.

Për shumë indonezianë, ky pelegrinazh fetar është ngjarje që u ndodh një herë në jetë. Për shkak të sistemit me kuota, koha mesatare e pritjes së një indoneziane për ta kryer haxhillëkun është 20 vjet.

“Për shkak të pandemisë dhe për shkak të sigurisë së pelegrinëve, qeveria ka vendosur përsëri që këtë vit të mos lejojë pelegrinë indonezianë”, tha përmes një deklarate ministri Yaqut Cholil Qoumas. Ai shtoi se Arabia Saudite nuk ka dhënë qasje për haxhillëk.

“Nuk është vetëm Indonezia. Asnjë shtet nuk ka pranuar kuota, sepse memorandumi i mirëkuptimit nuk është nënshkruar”, tha ai, duke shtuar se pelegrinët që i kanë paguar të hollat për haxhillëk do ta zhvillojnë ceremoninë vitin e ardhshëm, shkruan Reuters.

Para se pandemia t’i detyronte shtetet që të vendosin masa kufizuese, rreth 2.5 milionë pelegrinë i vizitonin qytetet e shenjta për myslimanët, Mekë dhe Medine, gjatë pelegrinazhit që zgjat rreth një javë, dhe gjatë pelegrinazhit të umras. Së bashku, këto pelegrinazhe i sillnin Arabisë Saudite rreth 12 miliardë dollarë në vit, sipas të dhënave zyrtare.

(Kosova Sot Online)