Hykmete Bajrami: Pandemia ka goditur rëndë arsimin, nxënësit nga e hëna të kthehen fizikisht në klasa

  • E.K /
  • 03 June 2021 - 11:12
Hykmete Bajrami: Pandemia ka goditur rëndë arsimin, nxënësit nga e hëna të kthehen fizikisht në klasa

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se pandemia e ka goditur rëndë sektorin e arsimit.  Ajo tha se pandemia ka ndikuar edhe në vendet e tjera, por që pasojat kanë qenë të ndryshme.

“Pandemia ka goditu rëndë arsimin, edhe shtete e zhvilluara me arsim të digjitalizuar janë përballur me sfida gjatë organizimit të  mësimit në kohë pandemia. Shkaku ka qenë i njëjti gjithandej por pasojat e ndryshme”, deklaroi ajo.

Bajrami shprehu shqetësimin se pasojat e pandemisë do të përcillen tek këto gjenerata edhe në kohën e punësimit të tyre.

“Të gjitha të dhënat tregojnë që pandemia shkakton humbje të mësimit, mësimnxënies dhe kjo situatë përcillet me efekte të gjata negative siç janë humbjet që do të përcillen me mundësi më të vogla të punësimit në të ardhmen dhe me të ardhura më të vogla gjatë punësimit të këtyre gjeneratave. Ne kërkojmë nga ju që të bëni një strategji”, ka thënë Bajrami.

Bajrami foli edhe për periudhën sa ishte ministre në fillim të vitit 2020, kur edhe u shfaq virusi Covid-19, në Kosovë.

Ajo tregoi se janë munduar që të krijojnë platforma për gjithë përfshirje në arsim, duke përmendur kështu edhe pajisjen e nxënësve me pajisje teknologjike.

Ndër të tjera deputetja e LDK—së, ka thënë se rekomandojnë që nga e hëna të fillojë mësimi fizikisht në shkolla.

“Ne rekomandojmë që duke marrë parasysh që numri ka ra dhe jeta i është kthyer normalitetit, kërkojmë që nga e hëna ministria të marrë vendim që mësimi të zhvillohet në shkolla dhe mësimi të realizohet në shkolla. Rekomandojmë që poashtu të krijohen edhe shkolla verore që të kompensohen orët e humbura”, ka thënë Bajrami.

(Kosova Sot Online)