Francezes që e vrau burrin dhunues i bie të fikët, kur prokurorët kërkojnë masë që do ta lironte

  • E.K /
  • 25 June 2021 - 14:03
 Francezes që e vrau burrin dhunues i bie të fikët, kur prokurorët kërkojnë masë që do ta lironte

Një franceze që ka pranuar se e ka vrarë burrin e saj dhunues pësoi humbje të vetëdijes në gjykatë, pasi prokurorët kërkuan që ajo të dënohet me një masë që praktikisht do ta lironte nga burgu.

Prokurorët kërkuan që gruaja të dënohet me pesë vite burgim, prej tyre katër vite burgim me kusht, njoftoi një avokate e të akuzuarës.

Nëse dënimi konfirmohet nga gjykata, Valerie Bacot do të lirohej, sepse ajo tashmë ka qëndruar një vit në burg, shpjegoi para gazetarëve avokatja Nathalie Tomasini.

Bacot ka pranuar se e ka qëlluar me armë Daniel Polette-n në vitin 2016. I ndjeri kishte filluar ta dhunonte të akuzuarën që nga mosha 12 apo 13-vjeçare, sipas dokumenteve të gjykatës. Në atë kohë, ai ishte i dashuri i nënës së saj, ndërsa më vonë iu bë bashkëshort e baba i katër fëmijëve.

Pasi e akuzuara u alivanos, shërbimet emergjente u futën në sallën e gjykatës ku po zhvillohej seanca. Avokatja Tomasini njoftoi se procesi gjyqësor do të vazhdojë kur klientja e saj të ndihet më mirë.

Bacot është përballur me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortit. Në librin e saj “Të gjithë e dinin”, të publikuar në maj, ajo tha se Polette e kishte dhunuar fillimisht kur ishte vetëm 12 vjeçe, e kishte lënë shtatzënë në moshën 17-vjeçare dhe e kishte vazhduar abuzimin ndaj saj përgjatë 18 viteve.

“Thjesht doja ta mbroj veten. Ta mbroj jetën time, jetën e fëmijëve të mi. Në sytë e mi, asgjë tjetër nuk kishte rëndësi”, shkroi ajo në librin autobiografik.

(Kosova Sotb Online)