Një burrë i izoluar shpëtohet mrekullisht pas disa sulmeve nga ariu i murrmë

  • E.K /
  • 23 July 2021 - 09:11
 Një burrë i izoluar shpëtohet mrekullisht pas disa sulmeve nga ariu i murrmë

Një burrë në Alaska të Shteteve të Bashkuara është shpëtuar, i lënduar por gjallë, pasi kishte përjetuar sulme të përsëritura nga një ari i murrmë, që kthehej kohë pas kohe në kasollen e tij të izoluar në natyrë, nga e cila ky person nuk kishte mundësi të vendoste kontakte me botën e jashtme.

Për fatin e tij, pas një jave me vështirësi, burri u gjet nga një helikopter i rojës bregdetare, pasi i izoluari bënte me dorë për të kërkuar ndihmë. Ai gjithashtu i kishte shkruar fjalët “Më ndihmoni mua” në kulmin e kasolles.

Gazeta “The New York Times” raportoi se burri në të pesëdhjetat apo gjashtëdhjetat kishte qenë vetëm në një kamp për mihje rreth 40 milje larg qytezës së izoluar, Nome, kur hasi në ariun e murrmë, i cili e kishte sulmuar dhe e kishte tërhequr zvarrë deri te një lumë.

Burri, që me vete kishte një pistoletë, kishte arritur të ikte, por pastaj përjetoi sulme të përsëritura për rreth një javë. “Ai tha se ariu vazhdonte të kthehej çdo natë dhe se burri nuk kishte fjetur disa ditë”, tha Jared Carbajal, një nga pilotët e helikopterit të rojës bregdetare.

Pilotët e panë burrin e rrezikuar vetëm kur vendosën që ta ndryshonin drejtimin e fluturimit për t’i shmangur disa re. Pasi e panë, pilotët aterruan menjëherë dhe e gjetën burrin duke tundur një flamur të bardhë.

Kohëve të fundit, në pjesën perëndimore të Amerikës Veriore janë shtuar rastet e kontaktit të njerëzve me arinjtë e murrmë. Një çikliste u vra këtë muaj në Montana nga një ari i murrmë, ndërsa një udhërrëfyes u mbyt nga një ari tjetër në prill në parkun kombëtar “Yellowstone”.

(Kosova Sot Online)