Emërimi i motrës së ministrit Aliu në Odën e Farmacistëve, Liburni thotë se s’është në dijeni, Suljota s’kthen përgjigje

  • E.K /
  • 24 July 2021 - 17:55
 Emërimi i motrës së ministrit Aliu në Odën e Farmacistëve, Liburni thotë se s’është në dijeni, Suljota s’kthen përgjigje

Sot në media është raportuar për disa emërime të bëra nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Bëhet fjalë për emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, e ku një prej emrave është edhe ai i Suljota Aliut, e për të cilën media shkruan se është motra e ministrit të Infrastrukturës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu.

Media me qëllim të konfirmimit të një raportimi të tillë rreth lidhjes familjare në mes të ministrit Aliu dhe Sulojtës, ka provuar që ta kontaktojë këtë të fundit përmes telefonit, por numri i saj ka qenë i pa qasshëm.

Përveç telefonit, media të njëjtën e ka kontaktuar edhe përmes platformave të tjera të komunikimit (Whatsapp) , megjithatë s’ka marrë një përgjigje nga Sulojta Aliu (deri në momentin e publikimit të tekstit) edhe përkundër faktit që kjo e fundit e ka parë mesazhin e gazetarit.

Media gjithashtu ka provuar që ta kontaktojë edhe vetë ministrin, Liburn Aliu, për ta pyetur lidhur me punësimin e Sulojtës, por ministri nuk e ka hapur telefonit dhe nuk i është përgjigjur as mesazhit të dërguar në telefon.

Megjithatë, Liburn Aliu, lidhur me këtë iu ka kthyer përgjigje “Albanian Post”, duke iu thënë se s’është në dijeni për punësimin e motrës.

“Nuk e di, unë nuk e di, idenë nuk e kam a është punësuar motra ime”, ka thënë Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kur është pyetur për punësimin e motrës së tij nga Ministria e Shëndetësisë.

Por express nga burime brenda Odës së Farmacistëve të Kosovës merr vesh se në këtë institucion është bërë e ditur që Suljota Aliu është motra e ministrit Liburn Aliu

“Që është motra e tij a, po po”, ka thënë ky burim brenda Odës së Farmacistëve, i pyetur se a janë informuar që është Sulojta Aliu është motra e ministrit Liburn Aliu.

(Kosova Sot Online)