“Pije një kafe”, shtetasi shqiptar tenton ta korruptojë policin në kufi me Kosovën

  • E.K /
  • 07 August 2021 - 10:40
“Pije një kafe”, shtetasi shqiptar tenton ta korruptojë policin në kufi me Kosovën

Një 50-vjeçar nga Shqipëria ka tentuar të futet në Kosovë përmes pikës kufitare të Vërmicës duke korruptuar policin. Ai i ka lënë një kartëmonedhë 10 euro në mes të pasaportës. Në momentin kur ai e ka pyetur përse janë vendosur paratë aty, 50-vjeçari ka deklaruar se i ka lënë për një kafe.

“Sot më datë 6.08.2021, në orën 05:55 minuta, në pikëkalimin kufitar në Vermicë, një shtetas nga Shqipëria gjatë kalimit të kufirit Shqipëri – Kosovë, kishte tentuar që t’u japë ryshfet zyrtarëve policorë gjatë kontrollave të kalimit kufitar.

Shtetasi shqiptar me inicialet Q.H, i lindur në vitin 1971, gjatë procesit të kontrollit, në pasaportën e tij kishte lënë një kartëmonedhë (10 euro), dhe kur është pyetur nga zyrtari kufitar për kartëmonedhën, i njëjti ishte përgjigjur se i kishte lënë për kafe.

Me këtë rast zyrtarët policorë kanë marrë masat e nevojshme, është njoftuar prokurori kujdestar me urdhër të të cilit personi i dyshuar është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës si dhe kartëmonedha është konfiskuar si dëshmi materiale. Pas perfundimit të procedurave personi i dyshuar, me urdhër të prokurorit është dërguar në qëndrën e ndalimit, kurse malli së bashku me automjetin është kthyer prapa”, njofton policia.

(Kosova Sot Online)