Shteti i ri po rrezikon seriozisht që të zbrazet, krimi dhe korrupsioni i kanë humbur shpresat e qytetarëve

Shteti i ri po rrezikon seriozisht që të zbrazet, krimi dhe korrupsioni i kanë humbur shpresat e qytetarëve

Hajrullah Tërnava

  • 07 August 2021 - 09:13

Shkruan: ANALISTI- Hajrullah Tërnava

Nuk mundë të arsyetohen kurrsesi pagat e majme dhe privilegjet tjera të gjyqësorit e prokurorisë kur një mal kaq i madh lëndësh presin e grumbullohen me vite dhe nuk marrin epilog të zgjidhjes, derisa sundimi i ligjit dhe dhënia e verdiktit meritor për secilin rast, është obligim i pashmangshëm ligjor e kushtetues i secilit të punësuar në sistemin e drejtësisë kosovare siç janë Gjyqësori dhe Prokuroria. Pa një luftim serioz të krimit në përgjithësi që është edhe kërkesë e ndërkombëtarëve e sidomos të shteteve të BE-së, si kusht për tu liberalizua vizat për kosovarët, dhe për tu anëtarësuar në BE, si pjesë përbërëse e këtyre shteteve, ku nëse vazhdohet si deri më tani pa një luftim të krimit si deri me tani, Kosova së shpejti do të zbrazet nga të rinjtë e këtij vendi.

-Qeverisja e cila po e drejton shtetin në këtë mandat të ri, në top prioritet e ka luftimin e krimit në përgjithësi, sepse pa një luftim të tillë edhe e ardhmja e Kosovës do të vihet në pikëpyetje, dhe ai luftim përpos burgosjeve të atyre që janë pasuruar me veprime kriminele, duhet të rezulton edhe me konfiskim të pasurisë së përfituar përmes krimit. Për ta arritur këtë qëllim kjo qeveri duhet që në sistemin juridik të ndermirën reforma rrënjësore, sepse këto institucione me këta njerëz në pushtet, nëpër ato vende ku duhet të luftohet krimi në mënyrë të pamëshirshme, Kosovën e kanë sjellë në këtë gjendje të tillë që edhe qytetarëve të rëndomtë ua kanë humbur shpresën e jetesës në këtë vend.

Pa ndryshime rrënjësore nëpër gjyqësi, prokurori, polici dhe institucione të tjera, Kosova nuk mund të pastrohet ashtu si e kërkon jeta e lirë dhe e pastër e qytetarëve të Kosovës. Në këtë situatë sikur që gjendet Kosova me këto kuadro në pushtet qe dy dekada, të cilët janë zhytur në krime të rënda e për përfitime të tyre personale apo përfitime të shefave që i kanë postue në ato vende, prandaj edhe nga këto veprime kriminale tani lirisht mund të thuhet se krimi në Kosovë ka lëshua rrënjë, dhe vështirë që mundë të ndodhë të zhduken ato rrënjë të shtrira në shumë drejtime. Prandaj kurrsesi nuk duhet të lejohet amnistia e krimit të rëndë nëpër prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës, duke e bërë zvarritjen dhe mos ndëshkimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, madje deri edhe në parashkrim të rasteve.

Sipas raportit të KGJK-së për 6 mujorin e parë të këtij viti janë në pritje të pa zgjidhura 5728 lëndë të krimit të rëndë, akoma pa u zgjidhur që presin, të kualifikuara si krime të rënda në Procedurë paraprake, Krime të rënda në pritje për Shqyrtim gjyqësor, lëndë në procedurë Paraprake në Departamenti Special si dhe lëndë në pritje për Shqyrtim gjyqësor në Departamentin Special të gjykatave themelore të Kosovës. Të pazgjidhura, lëndë̈ të këtyre kategorive të rënda presin edhe në Gjykatën e Apelit që kapin shifrën prej gjithsejtë 877 lëndësh. Marr në total numrin e lëndëve të pazgjidhura për vepra të rënda kriminale, që presin në Gjykatat themelore dhe atë të apelit, shifra shkon në 6605 lëndë të kësaj kategorie. Kjo situatë e krijuar sikur deri me tani mbas miri flet për faktin e kapjes tepërt të fuqishme kriminale të drejtësisë nga krimi i organizuar, duke e bërë gjyqësorin treg të shitblerjes së drejtësisë nga të fuqishmit që kanë krijuar pasuri marramendëse edhe qindra milionëshe.

Prandaj situata e krijuar nëpër institucionet e drejtësisë, për vendin tonë janë shifra për një alarm serioz për Ministrinë e Drejtësisë, që të kërkon llogari dhe të ndërhyn kudo sipas kompetencës ligjore, që të kërkohet llogaridhënie ndaj ligjit dhe përgjegjësi nga KGJK-ja e KPK-ja të degraduara kriminalisht, si mini qeveri e sistemit kinse të pavarur të drejtësisë, së pakut sipas Kushtetutës, për neglizhencë të madhe dhe mungesë totale të përgjegjësisë, kur dihet se pikërisht janë krimet e rënda të të gjitha formave, ku bënë pjesë krimi dhe korrupsioni, ato lëndë që nuk po gjejnë zgjidhje dhe po e mbajnë peng edhe shtetin e qytetarët në perspektiven evropiane.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".