Përkthyesi afgan i komandove shqiptare: Talibanët të pamëshirshëm me ne, do na vrasin

  • E.K /
  • 17 August 2021 - 16:21
 Përkthyesi afgan i komandove shqiptare: Talibanët të pamëshirshëm me ne, do na vrasin

Një përkthyes afgan që u ka ndihmuar ushtarëve shqiptarë në Afganistan në misionin e NATO-s ka shprehur frikën se talebanët do t’i vrasin të gjithë që kanë qenë kundër tyre.

Në një intervistë për “Top-Channel”, një përkthyes nga Kabuli ka thënë se NATO ka ndihmuar shumë Afganistanin, dhe largimi i trupave të tyre nënkupton situatë krejt tjetër për Afganistanin.

“Ne u punësuam në NATO për të mirën e familjeve tona, për një jetë më të mirë e shkollim të fëmijëve tanë. Tani ndodhem i fshehur në Kabul. Kam ndërprerë çdo lidhje me familjen time për të mos i rrezikuar ata nga puna që kam bërë si përkthyes e më pas edhe për shërbimin inteligjent të vendit tim. Në të shkuarën, kur punonim për NATO-n, natyrisht ishim të fiksuar nga talebanët. Tani duhet të fshihemi. Ata janë duke na kërkuar neve, që punuam për NATO-n apo Ushtrinë Amerikane, me qëllimin për të na vrarë”, ka thënë ai.

Sipas tij, më shumë se 20 mijë punëtorë të tillë po përballen me rreziqe e s’po guxojnë t’i afrohen as aeroportit për të ikur.

“Ata po na kërkojnë, pasi na quajnë ‘djemtë e këqij’ sepse ne punuam për NATO-n. Ata nuk kanë mëshirë. Nuk do të na e falin pse ne u punësuam me NATO-n apo Ushtrinë Amerikane. Nuk do të kenë mëshirë për ne. Do të na vrasin. Asgjë tjetër”, është shprehur ai.

“Dua t’i kërkoj ndihmë popullit shqiptarë dhe ministrave tuaj. Ju lutem kuptojeni se në çfarë rreziku unë dhe kolegët e mi ndodhemi. Talebanët kanë nisur kërkimet për ne. Do të na vrasin. Ju lutem na ndihmoni. Do ju jemi mirënjohës për çdo ndihmë që qeveria shqiptare mund të na japë ne përkthyesve që kemi punuar me trupat tuaja në terren”.

Kosova e Shqipëria janë ndër vendet që janë zotuar se do t’i pranojnë refugjatët afganë, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

(Kosova Sot Online)