Tha se lexon lektyra të shkollës fillore? Vjen sqarimi nga kandidati i AAK-së për Malishevën

  • E.K /
  • 23 September 2021 - 22:19
Tha se lexon lektyra të shkollës fillore? Vjen sqarimi nga kandidati i AAK-së për Malishevën

Kastriot Berisha, kandidat i AAK-së për kryetar të Malishevës, ka komemtuar deklaratën e tij në, ku tha se lexon lektyra.

“Një paraqitje imja televizive në Klan Kosova në emisionin “Edicioni Zgjedhor” është keqkuptuar qëllimisht nga kundërshtarët politik dhe nga ata që nuk njohin mirë historinë e familjes time”.

“Kur në emision u pyeta si e kaloj kohën e lirë, fjalën e kam pasur për lektyrat që mbajnë nënshkrimin e babait tim, ashtu sikurse e gjithë biblioteka dhe të tjera kujtime që mi ka lënë pas nga koha kur ishte profesor dhe ushtar i lirisë”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Berisha tha se lektyrat janë të babait të tij, i cili ishte profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, dhe ra heroikisht në Epopenë e Rahovecit më 19 korrik të vitit 1998.

“Gjithçka që pata nga vepra e babait ishte biblioteka e tij me lektyra e libra të zhanreve të ndryshme prej romaneve e deri te librat e shkencave politike dhe filozofike, që mbajnë nënshkrimin e babait tim”.

“Komentet fyese mund t’i bëni për këdo tjetër, por jo me historinë e familjes time që i dha shumë këtij vendi para, gjatë dhe pas luftës”, shtoi Berisha.

(Kosova Sot Online)