Fatmire Kollçaku: Marrëveshja nuk pretendon të sjellë njohjen defakto nga Serbia

  • E.K /
  • 04 October 2021 - 11:21
Fatmire Kollçaku: Marrëveshja nuk pretendon të sjellë njohjen defakto nga Serbia

Deputetja e Lëvizje Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku sot para deputetëve në Kuvend foli për marrëveshjen e 30 shtatorit në Bruksel për targat.

Ajo tha se se kjo marrëveshje i sjell Kosovës disa përfitime.

“Me 30 shtator 2021 në Bruksel u arrit marrëveshja përmes së cilës Kosova arriti të vendos principin e reciprocitetit në raport me Serbinë  Marrëveshja i sjell Kosovës disa përfitime njëherazi”

“Që nga dita e djeshme nuk ka barrikada në rrugët e Kosovës, Njësia Speciale e Kosovës pas 12 ditësh angazhim të shkëlqyer në mbrojtjen e vendkalimeve kufitare dhe stafit doganor e policor, mund t’i përkushtohet detyrave të tjera.Veturat që hyjnë nga Serbia do të trajtohen edhe më tej në bazë të reciprocitetit të plotë, duke u vendosur afishe ngjitëse që mbulojnë elementet shtetërore të vendit që nuk e njohin”, u shpreh deputetja.

Mulhaxha-Kollçaku tha se kjo marrëveshje nuk pretendon të sjellë njohjen nga Serbia.

“Kjo marrëveshje nuk është dhe nuk pretendon të jetë historike. Marrëveshja gjithashtu nuk e sjell dhe as nuk pretendon të sjellë njohjen defakto nga Serbia”, tha ajo.

Tutje, deputetja e VV-së tha se kjo marrëveshje është dashur të arrihet dhe zbatohet shumë vite më herët dhe se Kosova është dashur të vendos afishe që nga shtatori i vitit 2016.

(Kosova Sot Online)