Raporti zyrtar: Priftërinjtë e Francës për 7 dekada kanë abuzuar sek*ualisht me rreth 216.000 fëmijë

  • E.K /
  • 05 October 2021 - 11:23
 Raporti zyrtar: Priftërinjtë e Francës për 7 dekada kanë abuzuar sek*ualisht me rreth 216.000 fëmijë

Sipas një hetime për abuzimin seksual të fëmijëve nga priftërinjtë katolikë francezë, vlerësohet se 216.000 fëmijë kanë qenë viktima të abuzimit nga viti 1950.

Kryetari i komisionit për hetimin e abuzimeve nga priftërinjtë, Jean-Marc Sauve, foli gjatë publikimit të raportit të gjatë rreth abuzimeve seksuale në Kishën Katolike të Francës, shkruan BBC.

Skandali në Francë është më i riu që e godet Kishën Katolike, e cila është përfshirë nga skandalet me abuzime seksuale përreth botës, shpesh duke përfshirë fëmijë.

Hetimi i publikuar të martën ka filluar në vitin 2018 me nismën e Kishës Katolike Franceze.

Komisioni, për më shumë se dy vjet e gjysmë, hulumtoi në gjykata, polici e në të dhëna të kishave si dhe foli me viktima e dëshmitarë.

Sauve, shërbyes i lartë civil, tha se deri në fillim të shekullit të ri, Kisha Katolike “ka shfaqur indiferencë të thellë e madje mizore ndaj viktimave”.

Komisioni ka gjetur dëshmi për së paku 2.900 deri në 3.200 abuzues – nga gjithsej 115.000 priftërinj e klerikë të tjerë.

Në raportin me gati 2.500 faqe thuhet se shumica e viktimave ishin djem para adoleshencës me prejardhje të ndryshme sociale.

“Kisha Katolike, pas rrethit të familjes dhe miqve, është mjedisi që e ka shkallën më të lartë të dhunës seksuale”, thuhet në raport.

Shumica e rasteve të vlerësuara nga paneli mendohet të jenë shumë të vjetra për t’u ndjekur penalisht me ligjet franceze.

(Kosova Sot Online)