Shteti shembull për masa të rrepta shënon rekord të rasteve me Covid-19

  • E.K /
  • 19 October 2021 - 11:28
Shteti shembull për masa të rrepta shënon rekord të rasteve me Covid-19

Zelanda e Re ka shënuar shifër rekorde të të infektuarve me koronavirus për 24 orë. 94 raste u shënuan të martën, ndërsa ekspertët paralajmëruan se numri mund të rritet.

Kryeministrja Jacinda Ardern tha se rritja e numrit të rasteve është jashtëzakonisht ë vështirë dhe u bëri thirrje njerëzve që të vaksinohen dhe ta vazhdojnë zbatimin e masave, shkruan The Guardian.

“Nuk jemi të pafuqishëm, ne e kemi aftësinë për të ndihmuar që rastet t’i mbajmë në numër sa më të ulët që mundemi”, tha ajo.

Numri i rasteve pritet të rritet në javët e ardhshme. “Gjithmonë e dimë se një ditë e vetme është vetëm një pikë në grafik në trendin e shifrave, por duke i marrë parasysh pikat tjera, do të kemi numër treshifror së shpejti, nëse jo nesër, këtë javë ndoshta”, tha epidemiologu Michael Baker.

Zyrtarët shëndetësorë deri më tani nuk kanë arritur që ta gjejnë lidhjen e më shumë se gjysmës së rasteve të së martës me infeksionet ekzistuese. Ardern tha se përhapja e virusit është në tërë qytetin dhe se ka raste në 124 zona periferike të qytetit Auckland.

Ndryshe, Zelanda e Re ka qenë e njohur që nga fillimi i pandemisë si shtet me masa të rrepta kufizuese dhe me numër të vogël të rasteve. Ky shtet madje ka pasur periudha kur nuk ka shënuar asnjë rast të ri në kohën kur shtetet tjera ndodheshin në krizë pandemike.

(Kosova Sot Online)