Vrasja e 8-vjeçarit në Fier, familjarët e Mateos futen më dhunë në ambientet e Gjykatës

  • E.K /
  • 18 November 2021 - 10:49
Vrasja e 8-vjeçarit në Fier, familjarët e Mateos futen më dhunë në ambientet e Gjykatës

Ditën e sotme në Gjykatën e Fierit do të jepet masa e sigurisë për Klodian Çalamanin. Ndërkohë familjarët e Mateo Vasiut kanë tentuar të futen me forcë në ambientet e gjykatës.

Ndërkohë ata kërkojnë të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit, të përballen me vrasësin e vogëlushit. Kjo ka sjellë përplasje me forcat e policisë, të cilët nuk i lejojnë të futen.

Situata është dramatike, nëna e 8-vjeçarit vajton në ambientet e gjykatës humbjen e të birit, ndërsa kërkon dënim maksimal për autorin.

“Jam nëna e djalit që më vranë. Kërkoj varje në mes të qytetit,” thotë nëna e vogëlushit 8-vjeçar, që iu mor jeta padrejtësisht nga fqinji.

Të afërm të tjerë kërkojnë drejtësi për Mateon e vogël.  “Ne kërkojmë vetëm drejtësi. Sot ishte fëmija jonë nesër mund të jetë i juaji. Fëmijët janë e ardhmja, nuk mund të vriten. Përse kërcënohemi të mos i hedhim gjërat rrjeteve. Ku është drejtësia,” thonë të afërmit.

Masa e sigurisë për Çalamanin do të jepet në orën 10:30. Klodian Çalamanin, rrëmbeu, vrau e më pas e groposi në oborrin e banesës së tij, 8 vjeçarin në fshatin Greçalli të Fierit.

Ngjarja e rëndë ka tronditur mbarë opinionin publik.

(Kosova Sot Online)