Shërbimi Korrektues nuk flet për qelitë me qira që danezët po i lypin në Kosovë

  • E.K /
  • 16 December 2021 - 12:01
Shërbimi Korrektues nuk flet për qelitë me qira që danezët po i lypin në Kosovë

Danimarka po kërkon 300 qeli burgu me qira nga Kosova, por, për arritjen e kësaj marrëveshje nuk dihet nëse shteti ynë ka kapacitete të mjaftueshme. Ministria e Drejtësisë nuk është deklaruar për këtë çështje, por sipas ministrit danez të Drejtësisë Nick Hækkerup, dy palët mendojnë se marrëveshja ka kuptim.

Media  ka kontaktuar me zëdhënësin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi, për të parë nëse mund të jenë në dispozicion 300 qeli burgu për shtetin danez apo për realizimin e kësaj kërkese duhen objekte të reja, por Gashi tha se nuk mund të përgjigjet për këtë çështje pasi kjo po trajtohet nga Ministria e Drejtësisë.

Ndërkohë Ministria e Drejtësisë nuk është deklaruar akoma për këtë temë, e cila u bë e njohur për publikun nga mediat e huaja.

Media ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Drejtësisë nëse ka gjasa që kjo marrëveshje të arrihet, por akoma nuk janë përgjigjur.

Në këtë çështje është përfshirë aktivistja e të drejtave të njeriut, Maryam Alkhawaja teksa ka ngritur dyshime mbi kërkesën e Danimarkës për të marrë me qira qelitë e burgjeve të Kosovës. Ajo ka thënë se çështja është se pse po bëhet kjo.

“Nuk është shkaku i mungesës së hapësirës në Danimarkë që qeveria dëshiron të marrë me qira hapësirë për 300 të burgosur në Kosovë, pra pyetja që duhet të bëhet është pse? Dhe, nëse do të respektohen rregullat, të drejtat dhe ligjet që implementohen në Danimarkë edhe për ata në Kosovë?”, shkruan Maryam Alkhawaja në Tëitter.

Kapaciteti i burgjeve në Danimarkë duhet të rritet në mënyrë që t’u bëhet vendi rreth 1 mijë të burgosurve, thotë ministri danez i Drejtësisë, Nick Hækkerup. E nga Kosova po kërkohen 300 qeli burgu.

Kështu deklaroi ministri danez ku ndër të tjera tha se të burgosurit vijnë nga shtetet e botës së tretë.

“Ne pajtohemi se duhet marrë me qira burgje në Kosovë për të deportuar të borgosurit që vijnë nga shtetet e botës së tretë”, ka theksuar ministri Hækkerup.

Ministri gjithashtu bëri me dije se marrëveshja finale ende nuk është e nënshkruar, por të dyja palët mendojnë se ka kuptim.

“Por kam shumë besim (në nënshkrimin e marrëveshjes), sepse të dyja palët (Kosova dhe Danimarka) mendojnë se ka kuptim”, tha ministri. 

(Kosova Sot Online)