Lexoni edhe:
Qeveria Kurti me ligj kundër financimit të partive politike nga paratë e pista të krimit të organizuar
Shkruan: ANALISTI - Dardan Grapci
Përmbyllja me sukses e komunikimit të zhvilluar në mes të Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit të Venecias, për finalizimin e pakos që parashihet për reformën e sistemit të drejtësisë, është një sukses i madh për Qeverinë Kurti, në prag të përmbylljes së vitit të parë kalendarik të Qeverisjes në këtë mandat, të cilin e ka fituar me referendum popullor. Besimi i dhënë nga qytetarët, me zotimin për shtet të së drejtës dhe luftë kundër korrupsionit po arsyetohet dhe po dëshmohet me veprime praktike, masa politike dhe ligjore.
-Gjithsesi, që në agjendën e përpjekjes së pa reshtur për reformim dhe ristrukturim të sistemit të drejtësisë, data 14 Dhjetor 2021, si ditë e publikimit zyrtar të opinionit final të Komisionit të Venecias, për Qeverinë e Kosovës dhe institucionet e së drejtës, do të shënohet si datë e fillimit të kthesës së madhe për reformë dhe pastrim të sistemit të drejtësisë në Kosovë nga bllokuesit e grupeve jo formale të interesit. Opinioni i Komisionit të Venecias i publikuar në versionin zyrtar në faqen zyrtare të këtij Komisioni, me të drejtë është mirëpritur edhe nga organizatat jo qeveritarë që e monitorojnë këtë sistem, por edhe nga vetë Qeveria , përkatësisht Ministria e drejtësisë ngase nga ky moment hapet rruga dhe eliminohen pengesat burokratike, është fillimi i reformimit të Sistemit Prokurorial drejtë një sistemi më llogaridhënës, shkëputje nga një papërgjegjësi që e kishte karakterizuar në punën e deritashme, nga individ të pa përgjegjshëm dhe mbase të lidhur edhe me struktura të krimit të organizuar.
Është pur tu përshëndetur fakti që Komisioni i Venecias ka miratuar kërkesën kryesore të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me reformën në KPK dhe ndërprerjen e mandatit të shumicës së anëtarëve aktual. Komisioni ka mirëpritur vullnetin politik të shprehur edhe në seancën plenare nga përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë që të marrin për bazë zbatimin e rekomandimeve në opinion. Pra ky bashkërendim i angazhimit profesional të palëve, do ta ndihmon reformën e plotë të sistemit me veprimet konkrete ligjore që do të ndërmerren në fazën vijuese.
Fillimi i këtij procesi pozitiv është hapi i parë drejtë fitores së madhe në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, fushë kjo e bllokuar nga ndikimi i politikës, ngase përbërjet e deritashme të strukturës së KPK-së ishin vazhdimisht në funksion të avokatisë ndaj krimit të organizuar të kontrolluar e dirigjuar nga mafio politika. Pra, edhe dokumenti i harmonizuar në mes të Qeverisë së Kosovës - Ministrisë së Drejtësisë, në përmbajtjen e tij të plotë, do të jetë testi më serioz në provimin që duhet ta jep Qeveria Kurti në zotimet e saj për shtet të së drejtës dhe llogaridhënie e përgjegjësi për ligj zbatuesit në sistemin e drejtësisë.
Është inkurajues fakti që pas publikimit të këtij dokumenti në Veb faqen e Komisionit te Venecias ka reaguar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke mirëpritur dhënien e rekomandimit pozitiv për uljen e mandatit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe dhënien rekomandim pozitiv, sipas kërkesës së MD-së për ndërprerjen e mandatit për disa anëtarë të KPK. Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se do të ndiqen me përpikëri rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Në opinionin e Komisionit të Venecias rekomandohet zgjedhja e anëtarëve të pavarur të Këshillit Prokurorial vetëm me një shumicë më të madhe sesa shumica qeverisëse në Kuvend.
Kësisoj, Komisioni i Venecias këshillon që anëtarët të pavarur të KPK-së të mos dalin nga Kuvendi i Kosovës, por nga institucionet e jashtme të pavarura apo shoqëria civile. Për të pasur një përzgjedhje sa më profesionale, Komisioni i Venecias ka rekomanduar që zgjedhja me shumicë të thjeshtë duhet të zëvendësohet me një sistem zgjedhor proporcional, ose emërimin e disa anëtarëve të pavarur nga institucionet e jashtme të pavarura ose shoqëria civile, rekomandim substancial që është mbështetur edhe nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".