Zyrtari amerikan i Thesarit lë porosi në Beograd: Individët dhe kompanitë që i sanksionuam të japin llogari

  • E.K /
  • 16 December 2021 - 12:50
Zyrtari amerikan i Thesarit lë porosi në Beograd: Individët dhe kompanitë që i sanksionuam të japin llogari

Ushtruesi i detyrës së asistentit të sekretarit të Thesarit i Shteteve të Bashkuara, Paul Ahern, qëndroi për vizitë në Serbi nga 13 deri më 15 dhjetor. Ai kërkoi që individët dhe kompanitë e sanksionuara nga ShBA-ja të japin llogari dhe të pengohen veprimet e tyre destabilizuese.

Më 8 dhjetor, Departamenti i Thesarit e sanksionoi grupin e krimit të organizuar të Veselinoviqit dhe individët e grupet e lidhura me të për sjelljen e tyre destabilizuese e të korruptuar. Ky aktivitet i ka dëmtuar qytetarët e bizneset në Serbi e Kosovë, thuhet në njoftimin e publikuar nga Ambasada e ShBA-së në Serbi.

“Individët dhe kompanitë e shënjestruara nga këto sanksione duhet të japin llogari dhe veprimet e tyre destabilizuese. Presidenti Biden ka qenë i qartë që luftimi i korrupsionit është prioritet kyç i Shteteve të Bashkuara. Departamenti i Thesarit do të vazhdojë që t’i mbajë përgjegjës aktorët e korruptuar, kudo që mund të jenë ata”, tha Ahern.

Gjatë qëndrimit në Serbi, zyrtari amerikan pati takime në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Financave, Bankën Qendrore, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme dhe Zyrën e Prokurorëve.

Në njoftimin e ambasadës amerikane në Beograd thuhet se Ahern theksoi që Shtetet e Bashkuara janë mirënjohëse për bashkëpunimin mes Serbisë dhe Departamentit të Thesarit në fushën e luftimit të financimit të paligjshëm dhe presin progres të vazhdueshëm në adresimin e këtyre çështjeve të rëndësishme.

(Kosova Sot Online)