Berisha: Jemi shumicë e jashtëzakonshme. Kjo, opozita më e fortë që nga '91

  • A.P /
  • 20 December 2021 - 18:29
Berisha: Jemi shumicë e jashtëzakonshme. Kjo, opozita më e fortë që nga '91

Lideri historik i PD foli për mediat pas protestës madhështore në Tiranë kundër Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiç. 

Berisha tha se PD-ja e rithemeluar është opozita më e fortë që nga viti 1991. 

Gjithashtu ish-kryeministri përcolli një mesazh edhe për ish-udhëheqjen e shkuar të opozitës, të cilët janë sot pakicë. 

"Kjo është opozita më e fortë që nga viti 1991. Në rast se Shqipëria është rrokullisur në këtë mënyrë, përgjegjësi pa asnjë diskutim ka edhe udhëheqja e shkuar e opozitës. E cila në asnjë rrethanë nuk dha shembullin dhe nuk priu për të ngjallur shpresën dhe besimin te qytetarët. Kjo ka marrë fund. Ju e patë, një protestë e thirrur në 48 orë. Herën tjetër do të ketë program. Asgjë s'do të na pengojë pa bërë transparencë të plotë për të gjitha lidhjet e tmerrshme të Edi Ramës me krimin, korrupsionin dhe vjedhjen. 'Ballkani i Hapur' është 'Ballkani i Hapur' për krimin, oligarkët... 

E përcaktojnë anëtarët e saj se kush do të jetë drejtimi i PD. PD e rithemeluar është një shumicë jashtëzakonshme. Është grupacioni më i lirë i kësaj toke që nuk e përkul as e mposht dot asgjë. Ky është një revolucion i pandalshëm.  

Nëse kjo pakicë vazhdon të mos njohë këtë shumicë dërrmuese, do të mbajë përgjegjësi në mënyrë shembullore. Ajo dhe Edi Rama. Shumicën duhet ta respektosh, nuk mund ta marrësh peng", u shpreh Berisha 

***

Protestat do të vijojnë, paralajmëroi Berisha nga protesta përpara Kryeministrisë. 

"Ky uragan nuk ndalet më. Më lejoni ta paralajmëroj Edi Ramën, mos guxo t'i dalësh para. Mos mendo se me pakicë dhe stërpakicë mund të shtypësh shumicën se mjerimi të pret, ne nuk ka forcë që në botë që na ndalon në rrugën tonë. Kjo është protesta e parë, ju ftoj të qëndrojmë të vendosur për serinë e pafundme të protestave të tjera, derisa të çlirojmë Shqipërinë nga narkoshteti, të rikthejmë votën, shpresën, të ardhmen për çdo shqiptar", paralajmëroi Berisha nga podiumi i protestës përpara Kryeministrisë. 

(Kosova Sot Online)