Mehmeti: Hetimet për vrasjen e trefishtë në Gllogjan ende nuk janë në fazën përfundimtare

  • E.K /
  • 24 December 2021 - 11:50
Mehmeti: Hetimet për vrasjen e trefishtë në Gllogjan ende nuk janë në fazën përfundimtare

Gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, hetimet ende nuk janë në fazën përfundimtare.

Mehmeti theksoi se janë duke i pritur edhe disa rezultatet të ekspertizave të dërguar jashtë vendit.

Drejtori Mehmeti, duke iu përgjigjur kryetarit të Komisionit, Bekë Berisha për vrasjet e pazbuluar për 20 vjet, theksoi se këto raste janë dorëzuar në prokurori.

“Sa  përket rasteve të pazbuluara nga e kaluara, rastet janë dorëzuar në prokurori. Një pjesë të punës rreth rastit të caktuar e bartë edhe prokurori përkatës. Sa i përket rastit të fundit në Gllogjan ne kemi bërë angazhimet tona. Aktualisht jemi duke punuar, për këtë rast kemi edhe arrestime. Hetimet ende nuk janë në fazën përfundimtare. Hetimet janë ende në një fazë të caktuar, s’mundemi me thënë në fazën fillestare, por kanë bërë disa progrese, jemi duke i pritë edhe disa ekspertiza të cilat i kemi dërguar jashtë vendit, jemi rezultatet duke i pritë. Po ashtu janë duke u pritë edhe disa rezultate të tjera të cilat ndërlidhen me çështjet e ndryshme teknike. Aktualisht mendoj që kemi kryer një pjesë të punës pas këtij rasti, mirëpo mbetet ende për të punuar”, theksoi Mehmeti.

(Kosova Sot Online)