Ngritja e besimit qytetar në institucionet e drejtësisë, barrë e rëndë për Qeverinë!

Ngritja e besimit qytetar në institucionet e drejtësisë, barrë e rëndë për Qeverinë!

Gani Qarri

  • 24 December 2021 - 07:43

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Qytetarët të pyetur nëse institucionet e drejtësisë janë subjekt i mitmarrjes, bazuar në të dhënat e anketës më se 64.6 % e qytetarëve janë të bindur se, institucionet më të prekura nga mitmarrja, janë pikërisht gjykatat dhe prokuroria.

-Në analizën më të re, me të dhënat më të freskëta të prezantuara vetëm para pak ditësh, bazuar në të gjeturat e Edicionit të Shtatë të Indeksit të Performancës së Institucioneve të Sundimit të Ligjit në Kosovë, nga Grupi për studime juridike dhe politike, rezulton se mbi 60 për qind e qytetarëve besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji, kurse vetëm 31.4 % prej tyre, që nuk janë sa duhet të informuar, mendojnë se qytetarët janë relativisht të barabartë para drejtësisë dhe ligjit.

Kështu që nevoja e spastrimit dhe reformimit gjeneral të sistemit të drejtësisë, po bëhet gjithnjë e më urgjente pasi që edhe analizat dhe anketat e organizatave jo qeveritare, si dhe të vet instituteve profesionale që monitorojnë drejtësinë në vend, po e konstatojnë trendin alarmant në rritje të humbjes së besimit të qytetarëve në drejtësi, e cila është bërë sikur të jetë edhe kjo, pronë e uzurpuar nga mafio politika dhe krimi i organizuar në vend.

Një analizë e tillë e detajuar, është nxjerrë duke bërë krahasime për periudhat gjatë viteve 2013-2020, bazuar në të dhëna të perceptimit qytetar mbi punën e institucioneve zbatuese të ligjit, në raportet vjetore të Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor të Kosovës. Ndërsa problemi më serioz që në vijimësi, i brengos qytetarët e vendit, të cilët kanë dilema dhe mos besim të vazhdueshëm në sistemin e drejtësisë, dëshmon edhe perceptimet e a negative, me dështimet ndër vite të institucioneve të drejtësisë, si pasojë e ndikimit politik, mitmarrjes dhe mungesës së efikasitetit, sidomos te trajtimi i rasteve të korrupsionit, ku zbulohet mungesa totale e efektivitetit dhe vullnetit të gjyqtarëve, për veprim të vendosur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërsa një nuancë të ndryshimit pozitiv dhe nisjen e kthimit të besimit në drejtësi, anketa ka hetuar në fillim të këtij viti, pas zgjedhjeve të fundit e krijimit të institucioneve të reja, me disa veprime që realisht janë marr si veprime fillestare antikrim, por që megjithatë, është shënuar vetëm një ndryshim minimal sepse paraqet një periudhë të shkurtër kohore dhe pavarësisht disa iniciativave të nisura nga qeveria, perceptimi negativ mbetet, serish ende shumë i lartë dhe shqetësueses në vend.

Kështu që serish edhe kësaj radhe, më shumë se gjysma e qytetarëve, apo 51.5% prej tyre, e konsiderojnë të mos kenë vërejtur përmirësime të theksuara në fushën e drejtësisë, pra, trendi ende mbetet negativ, madje sa i përket institucioneve në veçanti dhe besimit kundrejt tyre, sipas të dhënave të raportit vërehet se 64.2% e qytetarëve të vendit, më së paku, u besojnë gjykatave dhe prokurorive, për të cilat mendojnë, jo pa arsye, se kanë ndikimin më të madh nga politika, ndërsa si institucionin më pak të ndikuar nga politika, edhe kësaj radhe, e konsiderojnë të jetë Policia e Kosovës.

Qytetarët të pyetur nëse institucionet e drejtësisë janë subjekt i mitmarrjes, bazuar në të dhënat e anketës më se 64.6 % e qytetarëve janë të bindur se, institucionet më të prekura nga mitmarrja, janë pikërisht gjykatat dhe prokuroria. Prandaj vet këto perceptime, janë jo vetëm një mesazh i thjeshtë, por edhe alarm i drejtpërdrejtë qytetar drejtuar Qeverisë për përshpejtimin e procesit të reformimit dhe zbatimit të Vettingut të shumë pritur, pasi që fillimi i kthesës së vogël të besimit për denoncim është një sinjal inkurajues për kontributin që mundë ta japin edhe qytetarët në betejën antikrim në vend.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".