Lavrov pyetet nga gazeta boshnjake për raportet dhe qëndrimin rus për Kosovën

  • E.K /
  • 24 December 2021 - 13:41
Lavrov pyetet nga gazeta boshnjake për raportet dhe qëndrimin rus për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, në një intervistë për gazetën boshnjake “Oslobodenje”, ka folur edhe për punën e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Shefi i diplomacisë ruse ka thënë se qëndrimi i Moskës për këtë çështje dihet, derisa ka shtuar se marrëveshja do të duhej t’i kënaqte të dy palët dhe e njëjta të aprovohej në Këshillin e Sigurimit.

Lavrov ka përmendur dëshirën ruse për raporte të mira me Shkupin dhe Tiranën.

“Unë kam folur për perspektivat e shtetit në raport me Bosnje e Hercegovinën, duke u përgjigjur në pyetjen e mëparshme. Serbia është një partner kyç për Rusinë në Ballkan, dhe ne e vlerësojmë si një partneritetin strategjik me Beogradin dhe ne po bëjmë përpjekje për të zgjeruar lidhjet tona.Raportet tona me Kroacinë, një anëtar jo vetëm i BE-së por edhe i NATO-së, janë një shembull i dukshëm se lidhjet me përfitim të dyanshëm mund të jenë të suksesshme nëse ka aspiratë të përbashkët. Ne jemi të interesuar që të promovojmë një agjendë pozitive edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, ka thënë Lavrorv për Oslobodenje.

Mirëpo, Lavrov ka theksuar se s’mund ta thotë të njëjtën gjë edhe për Republikën e Kosovës. Sipas tij, qëndrimi rus është i njohur dhe se Moska është për një marrëveshje mes palëve bazuar në Rezolutën 1244 të KS-së, marrëveshje kjo, që për Lavrovin duhet të marrë në fund edhe dritën jeshile të Këshillit të Sigurimit.

“Për çështjen e Kosovës – për arsye të dukshme nuk duhet ta vendosim në të njëjtin kosh – qëndrimi rus është i njohur. Ne jemi të përkushtuar për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të pranueshme reciprokisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. E njëjta duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit, sepse është çështje e sigurimit të paqes ndërkombëtare”, ka theksuar Lavrov.

(Kosova Sot Online)