Nga sot mund ta merrni vaksinën kundër COVID-19 edhe në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë

  • E.K /
  • 10 February 2022 - 08:26
Nga sot mund ta merrni vaksinën kundër COVID-19 edhe në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga sot, mund të vaksinoheni kundër-COVID19 edhe në sheshin “Zahir Pajaziti”, në kryeqytet.

Në njoftim është bërë e ditur se pika e re e vaksinimit do të aktivizohet me qëllim të ofrimit të sa më shumë mundësive për marrjen e vaksinës, për qytetarët.

“Komiteti për imunizim kundër COVID-19 i Ministrisë së Shëndetësisë informon qytetarët se gjatë ditës së nesërme, në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës do të aktivizohet një pikë e re e vaksinimit kundër COVID-19, me qëllim të ofrimit të sa më shumë mundësive për qytetarët për marrjen e vaksinës”, ka njoftuar MSh-ja të mërkurën.

Të pranishëm në hapjen e kësaj pike do të jenë ministri i Shëndetësisë dhe kryetari i Prishtinës.

“Me rastin e fillimit të vaksinimit në këtë pikë shtesë, të pranishëm do të jenë Ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi, kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama si dhe përfaqësues nga UNICEF-i,  USAID-i dhe kontribuues të tjerë në procesin  e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë. Hapja zyrtare e kësaj pike të vaksinimit do të bëhet të enjten (10 shkurt 2022) në ora 12:30 në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë”, bën të ditur MSh-ja.

Po ashtu, MSh-ja ka bërë të ditur se përveç pikave ekzistuese, së shpejti do të fillojë punën edhe një në Kodrën e Trimave.

“Vaksinimi kundër COVID-19 në Prishtinë, përveç në QMF-7 në lagjen Kalabria (ish-Emshir), në Qendrën Tregtare “Albi Mall” dhe në sheshin “Zahir Pajaziti”, së shpejti do të fillojë edhe në një pikë tjetër të re në Kodrën e Trimave në Prishtinë (QMF-2). Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë çdo mundësi dhe të vaksinohen kundër COVID-19”, ka njoftuar MSh.

(Kosova Sot Online)